Një ligj i ri i nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin thotë se trupat ruse që refuzojnë të luftojnë, dezertojnë dhe nuk i binden ose i dorëzohen armikut, tani mund të përballen me një dënim me burg deri në 10 vjet.
Ligji u miratua nga parlamenti, pas tre ditësh pasi Putin shpalli një mobilizim ushtarak “të pjesshëm” për luftën në Ukrainë.
Ndryshimet ligjore futin për herë të parë termat “mobilizim, ligj ushtarak dhe kohë lufte” në Kodin Penal të Rusisë.
Sipas ligjit, dorëzimi “vullnetar” dënohet me burgim deri në 15 vjet. Por, një shkelës për herë të parë mund të lirohet nga përgjegjësia penale nëse ka marrë masa për lirim, është kthyer në njësinë e tij ose në vendin e shërbimit dhe nuk ka kryer krime të tjera gjatë kohës që është në robëri”, sipas projektligjit të publikuar, raporton Danas, transmeton Dukagjini.
Dezertimi gjatë periudhës së mobilizimit ose luftës do të dënohet me burgim deri në 10 vjet, ndërsa kundërshtimi për shkak të ndërgjegjes dënohet me burgim deri në tre vjet.
Gjithashtu, ligji parashikon deri në 15 vjet burg për grabitje, dhe mobilizim gjatë luftës.
Projektligji i prezantuar në korrik nga ligjvënësit nga të gjitha partitë e përfaqësuara në parlament, u miratua me shpejtësi nga të dy dhomat e parlamentit rus këtë javë.
Sipas ligjit të mëparshëm, ushtarët dezertues përballeshin me pesë vjet burg.
Goditja e disiplinës vjen pas raporteve se disa ushtarë rusë në Ukrainë kanë refuzuar të luftojnë, si dhe raportet për rekrutët që ikën nga vendi në një përpjekje për të shmangur dërgimin në vijën e parë të frontit.
Ndërsa, Putin mori vendimin për mobilizim të pjesshëm për të mobilizuar 300 mijë rezervistë për të luftuar në Ukrainë.
Disa rusë të moshës madhore u nisën jashtë vendit të enjten për t’i shpëtuar përpjekjes më të madhe të rekrutimit të vendit të tyre që nga Lufta e Dytë Botërore, derisa shpërthimet tronditën Ukrainën juglindore në prag të referendumeve të planifikuara atje nga separatistët proMoskë.
Fushata e re e mobilizimit të Presidentit Vladimir Putin përshkallëzon një luftë që tashmë ka vrarë mijëra persona, zhvendosur miliona, “pluhurosur” qytete, ka dëmtuar ekonominë globale dhe ka ringjallur konfrontimin e Luftës së Ftohtë.
Megjithëse sondazhet kanë sugjeruar një mbështetje të gjerë të brendshme për ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë, rekrutimi masiv mund të jetë një veprim i rrezikshëm brenda vendit, pasi Kremlini premtoi se nuk do të kishte dështime në fushëbetejë në Ukrainë.
Evropa duhet të hapet ndaj rusëve që po ikin, thotë presidenti i Këshillit Evropian
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i ka kërkuar Evropës të tregojë një “hapje ndaj atyre që nuk duan të instrumentalizohen nga Kremlini”, raporton The Guardian.
“Në parim, unë mendoj se Bashkimi Evropian “duhet” të presë ata që janë në rrezik për shkak të opinioneve të tyre politike. Nëse në Rusi njerëzit janë në rrezik për shkak të opinioneve të tyre politike, sepse nuk ndjekin këtë vendim të çmendur të Kremlinit për të nisur këtë luftë në Ukrainë, ne duhet ta kemi parasysh këtë”, ka thënë ai, duke shtuar se pajtohet me idenë se duhet të bashkëpunojmë dhe koordinohemi shumë shpejt, sepse ky “mobilizimi i pjesshëm” është një fakt i ri.
Deklarata e tij erdhi pas fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), në New York të premten dhe vijnë përpara një takimi kyç të ambasadorëve të BE-së, të hënën në kuadër të reagimit të integruar politik të BE-së ndaj krizës (IPCR).