Disa ditë më parë Ukraina ka filluar gjyqin e parë për krime lufte që nga fillimi i pushtimit rus, ku një ushtar rus 21-vjeçar ishte shfaqur në bankën e të akuzuarve për vrasjen e një civili të paarmatosur.
Tankisti rus ishte paraqitur në një seancë paraprake në Kiev. Dhe nëse ai shpallet fajtor do të përballet me burgim të përjetshëm.
Prokurorët kishin bërë të ditur se Shishimarin ishte duke vozitur një automjet të cilin e kishin vjedhur së bashku me katër ushtarë të tjerë në rajonin verilindor të Sumy-t, ku gjatë asaj vozitjeje ata kishin takuar një 62-vjeçar i cili po ngiste biçikletën, transmeton BBC, përcjell Portali D.
21-vjeçari u deklarua fajtor për vrasjen e 62-vjeçarit civil të paarmatosur, në gjyqin e parë për krimet e luftës në Ukrainë.
Gjatë gjyqit, ushtari Vadim Shishimarin pranoi se disa ditë pas fillimit të pushtimit rus kishte qëlluar një 62-vjeçar të paarmatosur.
Vadim Shishimarin është futur në sallën e gjyqit të Kievit me pranga në duar të cilin e rrethonin rojet e armatosura. Gjendja e tij nuk dukej aq mirë ndoshta kjo vinte si pasojë e pranisë së bashkëshortës së të vrarit Kateryna, e cila ishte ulur disa metra larg tij, transmeton BBC.
Gjersa ushtari po hynte në gjykatë, e veja fshinte lotët. Në anën tjetër prokurori parashtronte çështjen e tij i cili ishte duke përshkruar momentin kur burri i Katerynës u qëllua në kokë.
“A e pranoni fajin tuaj?” pyeti gjyqtari. “Po,” u përgjigj Shishimarin.
“Plotësisht?” “Po,” u përgjigj ai.
Sipas prokurorëve, ushtari rus komandonte një njësi në divizion e tankeve kur kolona e tij u sulmua.
Sipas prokurorëve, Shishimarin kishte marrë urdhër për ta vrarë civilin, ku përdori një pushkë automatike të llojit Kalashnikov për ta kryer vrasjen.
Gjyqi i Shishimarin është shtyer për të enjten e 19 majit.
“Me këtë gjyq të parë, ne po dërgojmë një sinjal të qartë se çdo autor, çdo person që urdhëroi ose ndihmoi në kryerjen e krimeve në Ukrainë nuk do të shmangë përgjegjësinë,” ka shkruar kryeprokurorja e Ukrainës, Iryna Venediktova.
Gjyqe të tilla do të jenë shumë kanë thënë prokurorët, megjithëse Moska ka mohuar se trupat e saj kanë shënjestruar civilët, por janë pamjet filmike dhe mbetjet ato që tregojnë për dhunën ruse të ushtruar ndaj civilëve në Ukrainë.
Ukraina ka ngritur gjithashtu një ekip që t’i ruajnë provat, për t’i mundësuar ndjekjet penale në të ardhmen.