Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, deklaroi se kalimi i ri kufitar do të “mundësojë dërgimin e më shumë ndihmave tek civilët në zonat ku kamionët futeshin me vështirësi”.
Ushtria izraelite njoftoi të enjten për ato që i quajti “masa të reja dhe të përmirësuara” për të siguaruar futjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës, përfshirë ndërtimin e një kalimi të ri kufitar tokësor në pjesën veriore të Gazës.
Zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari deklaroi se kalimi i ri kufitar do të “mundësojë dërgimin e më shumë ndihmave tek civilët në zonat ku kamionët futeshin me vështirësi”.
Organizatat ndërkombëtare humanitare janë ankuar prej muajsh rreth pengesave për të dërguar ndihma në Gazë, duke iu referuar vonesave të shkaktuara nga ushtria izraelite dhe mungesës së sigurisë për të shkuar në disa zona, siç është pjesa veriore e Gazës për shkak të shkatërrimit nga lufta.
Zëdhënësi Hagari tha se Izraeli po planifikon kalimin e 50 kamionëve në ditë përmes këtij kalimi të ri kufitar dhe se pret që numri i përgjithshëm i kamionëve që dërgojnë ndihma në Rripin e Gazës çdo ditë gradualisht do të rritet nga 350 në 500 kamionë në ditë.
Kombet e Bashkuara thonë se rreth 500 kamionë në ditë kanë dërguar ndihma në Gazë para fillimit të luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në tetor.
Gjatë një bisede telefonike të zhvilluar të mërkurën me Ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara presin nga Izraeli që të veprojë menjëherë për të mundësuar dërgimin e ndihmës humanitare dhe të bashkëpunojë me organizatat e ndihmave për t’u siguruar që sulmet izraelite, si ai ndaj autokolonës së organizatës ‘World Central Kitchen’, të mos përsëriten më.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se sekretari Blinken dhe ministri Gallant gjithashtu kanë biseduar për negociatat që synojnë arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim, që do të përfshinte lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi në Gazë.
Izraeli njoftoi të mërkurën se ka vrarë tre djemtë e udhëheqësit kryesor të Hamasit Ismail Haniyeh në një sulm ajror në Gazë, duke thënë se ata ishin pjesë e krahut të armatosur të grupit militant.
Katër nipër të tij po ashtu u vranë gjatë sulmit ndërkohë që tre djemtë e udhëheqësit të grupit militant ishin duke lëvizur me makinë me ta pranë kampit të refugjatëve Shati në qytetin e Gazës. Udhëheqësi i Hamasit Haniyeh është me origjinë nga Shati.
Haniyeh, i cili vepron në Katar, e mësoi lajmin ndërkohë që po vizitonte palestinezët e plagosur që janë dërguar për shërim në spitalin e Dohës. Ai konfirmoi vdekjen e tyre në një intervistë për kanalin satelitor Al Jazeera, duke thënë se “djemtë e tij ishin martirizuar gjatë përpjekjes së tyre për të çliruar Jerusalemin dhe xhaminë e Al Aksës.”
“Armiku ynë kriminel po udhëhiqet nga fryma e hakmarrjes dhe vrasjes dhe nuk vlerëson asnjë standard apo ligj,” deklaroi ai.
Djemtë e tij janë në mesin e figurave të profilit më të lartë që janë vrarë deri më tani në luftën gjashtëmujore ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gazë. Ushtria izraelite tha se një prej vëllezërve ishte komandant i një njësie të Hamasit dhe dy të tjerët operativë ushtarakë të grupit militant.
Vëllezërit po udhëtonin bashkë më anëtarët e tjerë të familjes së tyre në një veturë të vetme që u godit nga një dron izraelit, sipas televizionit Al-Aqsa.
“Të gjithë njerëzit e Gazës kanë paguar një çmim të lartë”, deklaroi udhëheqësi i Hamasit. “Unë jam njëri prej tyre”.
Nuk është ende e qartë se si do të ndikojë vrasja e djemëve dhe nipërve të Haniyeh-s në negociatat disa muajshe për arritjen e armëpushimit, që po zhvillohen me ndërmjetës ndërkombëtarë, por ai tha se Hamasi nuk do të gjunjëzohet ndaj trysnisë.
“Armiku beson se duke vënë në shënjestër familjet e udhëheqësve, do t’i shtyjë ata të heqin dorë nga kërkesat e njerëzve tanë”, tha ai. “Kushdo që beson se duke goditur djemtë e mi do të nxisë Hamasin të ndryshojë qëndrim e ka gabim”.
Izraeli i shpalli luftë Hamasit pas sulmit terrorist që grupi militant kreu me 7 tetor në Izrael duke vrarë 1,200 njerëz dhe rrëmbyer 250 pengjeve. 33 mijë palestinezë, dy të tretat e të cilëve gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gazë si pasojë e sulmit izraelit që pasoi, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, të udhëhequr nga Hamasi. /VoA