Ushtria izraelite tha se ka shpëtuar edhe një tjetër person që ishte marrë peng nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – gjatë sulmit në Izrael më 7 tetor, sulm që nxiti luftën në Gazë.
Shpëtimi i pengut solli gëzim në mesin e izraelitëve, pas muajsh luftime, teksa dhjetëra persona ende po mbahen peng pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për të arritur marrëveshje armëpushimi dhe për lirimin e pengjeve.
Ushtria tha se Qaid Farhan Alkadi u shpëtua nga një tunel “në një operacion kompleks në jug të Rripin e Gazës”, pa ofruar më shumë detaje.
Nuk dihet nëse gjatë operacionit të shpëtimit të pengut u vra apo u plagos dikush, raporton Radio Evropa e Lirë.
Qaid Farhan Alkadi, 52 vjeç, ishte një prej tetë anëtarëve të minoritetit beduin arab të Izraelit, që u rrëmbyen më 7 tetor. Ai ishte duke punuar si roje në një fabrikë në Magen, një prej disa komuniteteve që u sulmuan nga radikalët e Hamasit. Ai ka dy gra dhe është baba i 11 fëmijëve.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se operacioni i shpëtimit ishte pjesë e “aktiviteteve të guximshme të ushtrisë që po kryen brenda Rripit të Gazës”, duke shtuar se Izraeli “është i përkushtuar që të shfrytëzojë çdo situatë për të kthyer pengjet”.
Hamasi rrëmbeu afër 250 persona më 7 tetor dhe vrau afër 1.200 të tjerë, shumica civilë.
Si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit, në Gazë janë vrarë më shumë se 40.000 palestinezë dhe janë zhvendosur 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës.
Izraeli beson se 108 pengje janë ende brenda Gazës dhe më shumë se 40 prej tyre janë të vdekur. Shumë pengje u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor në këmbim të lirimit të palestinezëve të mbajtur nga Izraeli.
Deri më tani, përmes dy operacioneve Izraeli ka shpëtuar tetë pengje. Hamasi ka thënë se disa pengje janë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite dhe operacioneve të dështuara për shpëtimin e tyre. Ushtarët izraelitë kanë vrarë gabimisht tre izraelitë që i ikën robërimit të Hamasit në dhjetor.