Ushtria ukrainase ka thënë se ka bërë fitime të mëdha gjatë ditës së fundit në Kherson, pasi Rusia ka thënë se po tërhiqej nga qyteti jugor.
Trupat ukrainase thonë se kanë marrë përsëri qytetin kyç të Snihurivka, që gjendet në veri të Khersonit.
Ndërkaq, Rusia ka paralajmëruar se ka filluar të largohet nga qyteti, por ky proces sipas saj mund të zgjasë me javë.
Megjithatë, zyrtarët ukrainas kanë thënë për BBC-në, se nuk ka asnjë provë që Rusia ka filluar tërheqjen masive nga Khersoni.
Komandanti i përgjithshëm i Ukrainës, Valeriy Zaluzhny ka thënë të enjten se nuk mund ta konfirmonte apo mohonte tërheqjen e trupave, por sipas tij forcat ukrainase kanë bërë përparime të rëndësishme.
Në anën tjetër për AP, zyrtarët ukrainas kanë pranuar se forcat e Moskës nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të iknin nga Kherson, megjithatë ata qëndruan të kujdesshëm.
Megjithatë, pas tërheqjes së trupave nga qyteti ukrainas që filloi të enjten, zyrtarët vlerësojnë se Khersoni mund të bëhet “qytet i vdekjes”.
Ushtria ruse është urdhëruar të tërhiqet nga qyteti ukrainas, Kherson. Komandanti rus në Ukrainë, gjenerali Sergei Surovikin, ka thënë se nuk ishte më e mundur të ruheshin furnizimet për qytetin.
“Në këto rrethana, opsioni më i arsyeshëm është organizimi i mbrojtjes përgjatë një linje barriere përgjatë lumit Dnipro,” ka thënë gjenerali Surovikin, në një takim të udhëheqësve të lartë ushtarakë, raporton BBC.
Njoftimi erdhi menjëherë pasi mediat ruse thanë se nënkryetari i Khersonit, Kirill Stremousov, ishte vrarë në një aksident automobilistik. I parë si një nga nxitësit kryesorë të okupimit të Khersonit, kishte paralajmëruar vetëm gjashtë ditë më parë se kishte “më shumë gjasa” që forcat ruse të kalonin në bregun lindor.
Tërheqja do të thotë se forcat ruse do të tërhiqen tërësisht nga rajoni në bregun perëndimor të lumit Dnipro. Forcat ruse kapën Kherson, kryeqytetin e rajonit jugor të Ukrainës, në fillim të luftës.
Njoftimi shënoi një nga tërheqjet më të rëndësishme të Rusisë dhe një pikë kthese të mundshme në luftë, tani afër fundit të muajit të saj të nëntë.
Rusia vendos të tërheqë trupat nga qyteti Kherson i Ukrainës