Viti 2022 ka qenë i karakterizuar me ngritje e zbritje të rasteve të infektimeve me Covid-19, megjithatë edhe ditëve të fundit të dhjetorit që lëm pas, ka pasur rritje të rasteve të tilla.
Lidhur me infeksionin nga coronavirusi ka folur në një intervistë për Portalin Dukagjini infektologu Ilir Tolaj, i cili ka thënë se pandemia në formën që jemi mësuar ta shohim, pra me raste të shumta të vdekjes ka përfunduar.
Ndërkaq, sipas Tolajt interesimi i qytetarëve për vaksinim ka rënë pasi që ka rënë edhe intensiteti i infeksioneve.
Tolaj, ka folur gjithashtu edhe për efektin e vaksinave, i cili është shprehur se ato nuk kanë efekte negative.
Për më shumë rreth virusit korona, vaksinave dhe infektimit, intervistën e plotë me infektologun Ilir Tolaj, mund ta lexoni si në vijim:
Dukagjini: Pyetja më e shpeshtë në lidhje me COVID-19 është se a ka përfunduar kjo pandemi tek ne kur tani kemi numra të ultë të rasteve?
Tolaj: Pandemia ne formën në të cilën jemi mësuar ta shohim, me qindra raste të reja të infektuar brenda ditës, e me dhjetëra të tjerë të hospitalizuar, me raste me format e rënda të sëmundjes dhe me dhjetëra të vdekur brenda ditës, ka përfunduar. Tash e në të ardhmen do të kemi të infektuar më COVID-19, por numri i tyre do të jetë i vogël ndërsa format e sëmundjes përgjithësisht të lehta. Gjithashtu, për dallim nga koha e fillimit të pandemisë, tash kemi njohuri tjera lidhur me virusin e sëmundjen e gjithashtu edhe mundësi tjera të mjekimit, të cilat janë jashtëzakonisht efikase. Gjithashtu një numër i madh i njerëzve e ka kaluar një apo më shumë herë infeksionin, e një numër tjetër është vaksinuar me një e më shumë doza të vaksinës. Kjo ka krijuar një shkallë të caktuar të imunitetit në popullatë që gjithashtu ka ndikuar dhe do të ndikojë që COVID-19 të mos ketë më përmasat dhe pamjen e kohës së fillimit të pandemisë.
Dukagjini: A mendoni se largimi i masave mbrojtëse dhe obligimit për vaksinim ka ndikuar në hezitimin për imunizim te personat që ende nuk janë vaksinuar?
Tolaj: Interesimi për vaksinim bie sa herë që bie intensiteti i infeksioneve. Për këtë arësye, kur dëshirojmë të arrijmë efektin e duhur përmes imunizimit aktiv, siç është vaksinimi, atëherë duhet shfrytëzuar momenti i caktuar, atehërë kur interesimi për vaksinim në mesin e popullatës është i lartë. Kjo fatkeqësisht nuk është bërë në vendin tonë, në fillim për shkak të mungesës së vaksinës, e më vonë për shkak se autoritetet shëndetësore kanë qenë ta ngathta dhe joefikase për të promovuar vaksinimin dhe për ta lëhtësuar çasjen në vaksinat. Tash kur numri i infeksioneve është i papërfillshëm, është e kuptueshme që edhe interesimi për vaksinat të jetë i papërfillshëm.
Dukagjini: Varianti Omicron është quajtur variant më i lehtë pasi nuk ka shkaktuar sëmundje të rëndë. Nga ajo që dimë në zhvillimin e koronaviruseve, a mendoni se një variant i ri do të mund të shkaktonte sëmundje më të rëndë se sa ky variant?
Tolaj: Zakonisht, variantet e reja janë gjithnjë me aftësi më të shquara për infeksion më të shpejtë dhe më të lehtë, por duke shkaktuar forma më të lehta të sëmundjes.
Dukagjini: Cilat janë pasojat në shëndetin e pacientëve që kanë kaluar virusin COVID-19, a do të kenë probleme për vite me radhë apo një gjë e tillë është trilluar?
Tolaj: Mjekësia është duke identifikuar efektet afatgjata të infeksionit të kaluar me virusin e COVID-19. Këto padyshim janë të shumta dhe afatgjata, duke ndikuar në mirëqenien e secilit prej atyre që janë duke i përjetuar këto efekte. Përderisa mjekësia e sotme ka avancuar në fushën e mjekimit të infeksionit akut me virusin SARS CoV 2 dhe manifestimet akute klinike të këtij infeksioni, ende nuk janë gjetur mënyra adekuate të mjekimit të efekteve afatgjata të një të ashtuquajturi COVID i gjatë. Por, të jemi të qartë, numri i rasteve me Covid të gjatë është i fatmirësisht i kufizuar.
Dukagjini: Nëse e merr veten nga koronavirusi, a fiton imunitet ndaj saj apo thjesht imunitetin e krijon vetëm vaksina?
Tolaj: Infeksioni i kaluar pas vetes le imunitetin natyror për variantin e virusit me të cilin je infektuar. Ky imunitet është mbrojtës në shkallë të caktuar edhe për variantet tjera të virusit të njëjtë. E njëjta është edhe me vaksinat. Imuniteti që pas vetes lënë vaksinat është i kënaqshëm për variantet e virusit për të cilat vaksina është krijuar.
Dukagjini: Sa kohë zgjat mbrojtja nga një vaksinë kundër COVID-19, a duhet të merren edhe doza e tretë apo e katërt?
Tolaj: Imuniteti humoral, që zbulohet me prezencen e antitrupave në gjak, është prezent për 6, 9 apo edhe më shumë muaj. Por me gjasë imuniteti qelizor është shumë më afatgjatë dhe ai na mbronë kundër formave të rënda të infeksionit të përsëritur.
Dukagjini: A kanë efekte anësore vaksinat kundër COVID-19, sidomos këto që janë përdorur në Kosovë?
Tolaj: Ne parim jo. Apo më mirë më thënë, efekte anësore janë të papërfillshme.
Dukagjini: Është përmendur shpesh se vaksinat anti-COVID-19 do të na ndryshojnë DNA-në, është e vërtetë apo jo një gjë e tillë?
Tolaj: Kjo nuk është e vërtetë.
Dukagjini: Tashmë në Kinë është ri-aktivizuar virusi, vendi është mbyllur prej kohësh thuajse tërësisht, a bëhet fjalë për mos efekt të vaksinës kineze apo mos-menaxhim të duhur të pandemisë, apo kemi ndonjë variant të ri kur dihet se ky virus fillimisht shpërtheu në Kinë?
Tolaj: Strategjia e Kinës, të cilën në fillim e përdoren edhe vendet e perëndimit, për zero raste Covid, po del që ka qenë e gabuar. Nëse ju kujtohet, unë disa muaj pas fillimit të pandemisë, në një paraqitje publike të titulluar “Një mendim ndryshe për pandeminë” pata thënë që masat e izolimit, gjegjësisht karantinimit të plotë të popullatës janë të gabuara dhe veçse do ta zgjasin pandeminë. Shembulli i Kinës është konfirmim për këtë. Fatkeqësisht, në Kosovë autoritetet shëndetësore ishin krejt të pa afta për ta vlerësuar si duhet situatën dhe kopjuan masat e vendeve tjera, të cilat kishin rrethana tjera demografike dhe sistem tjetër shëndetësor.
Dukagjini: Cilat mendoni që janë disa nga mësimet që Bota i ka marrë ose duhet t’i mësojë në lidhje me atë se si duhet të trajtohet një pandemi e në veçanti në lidhje me investimet në sistemin e shëndetësisë publike?
Tolaj: Njerëzimi është vetëm njëra specie që e banon planetin Tokë. Kontaktet e vazhdueshme me speciet tjera do të provokojnë situata të caktuara të cilat mund të rezultojnë në pandemi me pasoja të paparashikueshme. Gjithashtu, ne botën e globalizuar, asnjë shtet apo komb, nuk është i izoluar dhe s’mund të mbrohet i vetëm. Krijimi i sistemeve për informim të hershëm të situatave me infeksione të panjohura, këmbimi i informatave dhe reagimi i hershëm në situata të këtilla, duke krijuar sisteme globale të përgjegjës për krizat potenciale shëndetësore, janë mësimet e marra nga kjo pandemi.