Janë bërë pothuajse 3 javë që kur numri i rasteve me COVID-19, po mbërrin në afro 2 mijë raste në ditë.
Teksa në Kosovë janë bërë 2 vjet e 4 muaj që nga nisja e pandemisë, variante të ndryshme të COVID-it kanë përfshirë vendin.
Nga Ministria e Shëndetësisë, kanë treguar se fuqia e koronavirusit këtë vit është më e vogël në krahasim me vitin e kaluar.
“COVID-19 deri tash ka pasur disa valë të ndryshme me ashpërsi te ndryshme. Në verën e vitit të kaluar ka qenë vala e variantit Delta, e cila ka qenë mjaft e ashpër si për nga transmetimi i shpejtë i virusit ashtu edhe për nga numri i lartë i rasteve, dhe rasteve te shumta me vdekje”, ka thënë, Ministria e Shëndetësisë.
Sipas Ministrisë, numri i rasteve ndonëse është i lartë, por tani për tani sëmundja tejkalohet më lehtë.
E masa të reja për COVID-19 nuk pritet të ketë, përpos rekomandimit të bartjes së maskës në mjedise të mbyllura dhe vaksinim të popullatës.
Infektologu, Hamdi Ramadani ka sqaruar se cilët faktorë po ndikojnë për rritjen e rasteve me COVID-19.
“Ardhja e madhe e mërgatës nga njëra anë tubimet e mëdha masiv në restauronte ahengje, pa maska pa distancë, dhe nga tjetra anë shumë qytetarë ende nuk kanë marrë vaksinën apo dozën e tretë dhe të katërt, janë faktorë që ndikojnë në paraqitjen e kësaj situate dhe ne si ekspert infeksionit me përvojë e kemi pas të pritur këtë situatë që mund të ndodhë”, Hamdi Ramadani, Infektolog.
Ramadani, ka shtuar se problematike vazhdon të mbes mos interesimi i popullsisë që të vaksinohet me dozën e tretë dhe të katërt.
“Në vendin tonë janë mbi 824 mijë me 2 doza të vaksinës kurse mbi 903 mijë qytetarë me një dozë të vaksinës, nuk janë të mbrojtur nga virusi COVID-19 nga variantet që mund të paraqiten në ditët ose javët e ardhshme dhe mundësia e infeksioneve është e mundur duke përfshirë edhe mbi 200 mijë qytetarë të shëruar, edhe ata nuk kanë mbrojtje solide”, ka bërë të ditur Hamdi Ramadani, Infektolog.
MSH-ja rekomandon qytetarët që të vaksinohen, pasi dhënia e mbi 1.8 milionë dozave të vaksinës kundër COVID-19 ka ndihmuar në uljen e numrave të rasteve dhe në parandalimin e shumë vdekjeve.