Një valixhe e dyshimtë e raportuar në rrugën “Sali Çeku” në Ferizaj ka mobilizuar policinë dhe ekipet e deminimit mëngjesin e së enjtes.
Incidenti është raportuar rreth orës 10:12, dhe që nga ajo kohë, ekipet e policisë ishin duke qëndruar në vendngjarje.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar se policia ka marrë masa për sigurimin e zonës dhe ka ftuar ekipet e deminimit të specializuara për të trajtuar situatën.
“Ekipet përkatëse të deminimit pritet të arrijnë së shpejti për të ekzaminuar valixhen”, ka theksuar ai.
Rruga është bllokuar për qarkullimin, ndërsa banorët e zonës janë këshilluar të shmangin lëvizjet në afërsi të vendit të ngjarjes.
Deri më tani, nuk janë ndarë informacione të tjera.