8 prill i vitit 2021 ishte hera e fundit që Bedri Rexhepi kishte dalë nga shtëpia e tij. Për më shumë se një vit e gjysmë ishte shpallur i zhdukur, ndërsa më 30 shtator eshtrat e tij u gjetën në një mal të Novobërdës. Ekspertiza konstatoi se ai është vrarë, ndërsa akuzë për këtë gjë është ngritur ndaj vëllezërve Jeton e Nexhat Vllasaliu.
Por, 21 ditë pasi u gjetën mbetjet mortore, ato iu kthyen familjes së tij. E këtë moment e ka përjetuar rëndë vëllai, Adnani. Pos familjarëve, në varrimin e afaristit nga Shtimja të pranishëm ishin qindra qytetarë. Për tragjedinë që goditi familjen e Rexhepi, Xhaxhai Mustafa ka besim se fajtorët do t’dënohen.
“Bedriu ka qenë më punëtori dhe më i dashuri dhe me shumë energji pozitive. I gatshëm që gjithmonë të shtrijë dorën e ndihmës. Bedriu humbi jetën nga duart kriminale të të pabesëve të cilët në kundërshtim me çdo traditë kombëtare e besim në Zot ia shuan jetën. Këta kriminelë dyert e hapura do t’i kenë vetëm dyert e burgut dhe kërkojmë nga organet e drejtësisë të marrin dënimin e merituar dhe të jetë shembull e preventivë për rastet e tjera”, deklaroi para të pranishmëve, Mustafë Rexhepi.
Edhe avokati i familjes ka besim që gjyqi për vrasjen që dyshohet se ndodhi për para do të përfundojë me ndëshkim maksimal.
“Në pabesi me një tradhëti të koordinuar me mauj ai është privuar nga jeta. Pra dy vëllezërit të motivuar tani për tani për 8 mijë euro. Ai si ka pas borxh askujt dhe për më tepër përveç se nuk i ka pasur borxh askujt ai është targetuar që atij t’ia marrin mjetet që kishte në gjep…As fmilja as Bedriu nuk ka pasur asnjë të keqe të njohur me askënd e lëre më me vëllezërit e arrestuar si kriminel të dyshuar”, ka theksuar avokati Besnik Berisha.
Përpos vëllezërve Vllasaliu avokati i familjes Rexhepi thotë se në vrasje mund të jenë të përfshirë më shumë se dy persona. Gjykimi për vrasjen e Bedri Rexhepit do të nisë me datën 25 të këtij muaji. Për vrasje të rëndë në bashkërkyerje akuzohen Jeton e Nexhat Vllasaliu.
Për vrasjen e Rexhepit edhe prokurori i rastit e ka konstatuar që nuk është përdorur arma. Dyshohet se se Bedriu ka vdekur për shkak të bllokimit të frymarrjes. Ndërsa pasi është vrarë në shtëpitë e të dyshuarve ai është varrosur jo shumë thellë në malet e Novëbërdës.