E rëndë ka qenë dita e sotme për familjet Gubetini e Gashi që varrosen familjaren e tyre, 48 vjeçaren Zejnepe Gubetini e Gashi.
E ndjera ishte viktimë e përleshjes të dy ditëve më parë në lagjen “Kolovicë” të kryeqytetit, e që nuk kishte lidhshmëri me rastin por u vra para shtëpisë së saj nga gjuajtjet me armë mes dy grupeve të armatosura.
Por, as pas 48 orë pas Policia e Kosovës nuk ka arritur t’i lokalizojë vëllezërit, Ahmet e Naim Berisha që dyshohen për veprën penale vrasje e rëndë.
“Me qenë se jemi në fazën fillestare të hetimit ajo çfarë mund të themi për dy personat që janë në kërkimi aktualisht mund të konfirmojmë se kanë pas të kaluar kriminale dhe po vazhdohet puna për kapjen e tyre”, tha Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Pos tyre, organet e drejtësisë kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për vendndodhjen edhe të Fitim Dodës e Arijan Sijarinës, të dyshuar për vrasje në tentativë.
Ndërkaq, Prokuroria ka njoftuar se personi tjetër që mbeti i plagosur të martën, 25 vjeçari L.H pas trajtimit në QKUK është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij do të kërkohet masa e paraburgimit.
Pos viktimës që ishte kalimtare e rastit, edhe Egzon Haziri mbeti i vdekur në vend të ngjarjes nga gjuajtjet me armë mes dy grupeve.