Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar afati për dorëzimin e kërkesës për t’u akredituar, për vëzhgimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Përmes një njoftimi për media, KQZ ka njoftuar se dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhguesve do të përfundojë më 12 dhjetor.
“Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara do të përfundojë më 12 dhjetor 2022. Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore e ndërkombëtare, përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe mediave do të përfundojë më 13 dhjetor 2022”, thuhet në njoftim.
“Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i vëzhgojnë këto zgjedhje”, vijon njoftimi.
Kandidatët janë certifikuar e kërkesa për t’i shfrytëzuar shkollat si hapësira votimi janë kryer nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Por, kësaj radhe, pjesë e zgjedhjeve në veri të vendit nuk do të jenë Lista Serbe.
E për gjithë këtë proces, të gatshëm janë kandidatët shqiptarë.
Ismir Zeqiri, që është kandidat për kryetar komune në Zubin Potok nga Partia Demokratike e Kosovës, po pret epilog pozitiv nga ky proces.
“Unë pres pozitiv për ata edhe i kemi hyrë garës edhe kurdo që thërret shteti e ligji, na si qytetar,ë po edhe si akterë e activistë duhet të kontribuojnë, prandaj jemi të gatshëm”, ka thënë kandidati për Zubin Potok, Ismir Zeqiri.
Ndërsa, kandidati nga radhët e Vetëvendosjes për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, pret që votat për të, kësaj radhe të rritën.
“Nuk është hera e parë që po kandidoj, kjo është hera e 5-të për kryetar komune, fatmirësisht, çdo herë me rritje më shumë, kështu që pritjet i kemi që edhe këto zgjedhje do të kemi rritje me një rezultat fitues”, ka thënë Erden Atiq, kandidat për Mitrovicë të Veriut.
Me gjithë zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe gjithë atë që i parapriu shpalljes së këtyre zgjedhjeve, Atiq është i bindur se procesi do të jetë i sigurt.
“Deri tash me sa kemi informatë, gjithcka ka shkuar në rregull dhe normal që presim që procesi të shkojë edhe të përfundojë pa rregullsi dhe pa probleme”, ka theksuar Atiq.
Dymbëdhjetë kandidatë janë certifikuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovë, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahen më 18 dhjetor.
Këto zgjedhje erdhën si rezultat i dorëheqjes së kryetarëve serbë, pjesë e Listës Serbe, për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.