Qytetarët e Kosovës nuk po heqin dorë së kërkuari marrjen edhe të një shume nga Trusti Pensional.
Ata edhe në ditën kur ky projektligj ka shkuar në Kuvend pa miratim të Komisionit për Buxhet, kanë treguar arsyet pse e kanë të nevojshme tërheqjen e parave.
“Ata që kanë para aty, ti nxjerrin ato para pasi që kanë nevojë për shkak të shtrenjtimit të artikujve të ndryshëm, sic jemi tashmë të njoftuar që ka shumë produkte që u është ngritur çmimi”, ka thënë një qytetar.
“Çfarë situate jemi sidomos punëtorët me siguri që ja vlenë tërheqja e trustit, por disa po deklarohen që do ta votojnë por kur po vie puna po tërhiqen”, ka thënë qytetari tjetër.
“Kush mendon që duhet me i tërhjek le ti tërheq, kushdo që nuk do, ato aty mbesin”, është shprehur një qytetare.
Të rrallë janë qytetarët që janë kundër tërheqjes, megjithatë ka të tillë.
“S’është e nevojshme dhe nuk duhet të tërhiqet trusti, është shumë keq që një gjë të tillë po e kërkojnë cdo herë”, ka thënë qytetari.
Por, kategorikisht kundër është edhe ekonomisti Erton Bega, i cili vlerëson se një gjë e tillë aspak nuk i kontribuon ekonomisë së vendit.
Sipas tij, nuk mund të krahasohet kjo kohë me kohën e pandemisë kur ndodhi një tërheqje e tillë.
“Tërheqja e mjeteve e propozuar tani do të kishte kundër efekt tani në ekonomi pasi ne ballafaqohemi me ngritje të çmimeve dhe ka shumë qarkullim të parave në treg, dhe po të kishte edhe më shumë do të stimulohej edhe më tej rritje e çmimeve, prandaj unë e kundërshtoj një nismë të tillë sepse tingëllon popullsitë dhe nuk i shërben të ardhmes”, ka deklaruar ekonomisti Bega.
Pavarësisht argumenteve e kundër argumenteve qytetarët e Kosovës kanë vendosur që t’i bindin vetë deputetët për të votuar pro tërheqjes .
Këtë po tentojnë ta bëjnë të enjten përmes një proteste para qeverisë.
Organizatori i kësaj proteste jep detajet.
“Të protestojmë në mënyrë paqësore dhe ti bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të votojnë pro ligjit që lejon tërheqjen e 30% të mjeteve të trustit. Gjendja e rëndë që ndodhemi për shkak të rritjes së çmimeve është arsyeja kryesore e kësaj proteste”, ka thënë Adnan Jashari, organizator i protestës.
Deputetët e opozitës kanë nisur iniciativën për ndryshim plotësimin e Ligjit për Trustin Pensional por i njëjti nuk po përkrahet nga deputetët e shumicës.