Në Sofje të Bullgarisë edhe sot, për të dytën ditë më radhë, vazhdon mbledhja e Asamblesë Parlamentare e NATO-s, ku në agjendë është edhe Kosova. Të hënën në rend të ditës pritet të jetë edhe avancimi i statusit të Kuvendit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar.
Zyrtarisht Asambleja e Përgjithshme të NATO-s ka nisur punimet të shtunën me tri komisione.
Në Komisionin për Mbrojtje e Siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-së është diskutuar edhe rreth situatës së përgjithshme në Kosovë, e në veçanti lidhur me sulmin terrorist të grupeve paramilitare të udhëhequra nga Milan Radoiçiq.
Në raportin e gjerë të paraqitur nga ish-sekretari britanik i mbrojtjes, Lordi Mark Lancaster, i cili është raportues për Ballkanin Perëndimor është përfshirë edhe raportimi i organizatës joqeveritare “International Crisis Group”, në të cilën theksohet se KFOR-i e negociojë tërheqjen e grupit paramilitarë serbë.
Ligjvënësit e asamblesë parlamentare të NATO-s u kërkuan aleatëve të NATO-s që të rrisin bashkëpunimin me partnerët demokratikë në Ballkanin Perëndimor dhe vendet e Paqësorit për të kundërshtuar përpjekjet e fuqive autoritare për të zgjeruar ndikimin e tyre dhe për të sfiduar rendin ndërkombëtar.
Në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila mbahet për tre ditë radhazi, 25,26,27, në Sofje të Bullgarisë, në agjendë do të jetë edhe Kosova, ku në rend të ditës është edhe avancimi i statusit të Kuvendit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar.
Kosova pret që të marrë përkrahje në avancimin e statusit të Kuvendit të Kosovës, nga vëzhgues në anëtar të asociuar të kësaj organizate. Vendi ynëpërfaqësohet nga deputetët Driton Hyseni dhe Xhavit Halit. Ata do të jenë prezentë në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në Sofje./RTK