Forcat izraelite shkëputën veriun e Rripit të Gazës nga pjesa tjetër e territorit të rrethuar dhe kanë kryer ndaj saj, sulme intensive ajrore gjatë natës, duke krijuar terrenin për një fazë edhe më të përgjakshme të luftës një mujore kundër grupit militant, Hamasit.
Në një njoftim të ushtrisë izraelite të dielën vonë në mbrëmje ky zhvillim u cilësua si një “fazë e rëndësishme” e luftës.
Të hënën Ministria e Shëndetësisë në Gazë, e cila drejtohet nga Hamasi, njoftoi se numri i të vdekurve palestinezë ka kaluar shifrën e 10,000 personave, përfshirë më shumë se 4,100 fëmijë dhe 2,640 gra. Por në të dhënat e ministrisë nuk qartësohet numri i militantëve të Hamasit të vrarë.
Ndërkohë mediat izraelite njoftuan se ushtria pritet të hyjë në qytetin e Gazës gjatë ditës së hënë ose të martën.
Zhvillimet vijnë ndërsa forcat izraelite goditën çatinë e spitalit Shifa në qytetin e Gazës, duke vrarë një numër personash që strehoheshin në katin e fundit të tij dhe duke shkatërruar panelet diellore, sikurse bëri të ditur menaxheri i përgjithshëm i spitaleve të Gazës. Panelet kanë ndihmuar për furnizimin e objektit me energji elektrike, i cila është reduktuar ndjeshëm duke përdorur vetëm një gjenerator, për shkak të mungesës së karburantit.
Në Bregun Perëndimor të pushtuar, më shumë se 140 palestinezë janë vrarë si pasojë e akteve të dhunës dhe bastisjeve nga pala izraelite. Më shumë se 1,400 izraelitë janë vrarë, shumica e tyre gjatë sulmit të Hamasit të 7 tetorit që u bë shkak për nisjen e konfliktit. Po kështu grupi militant ka marrë peng rreth 240 persona.
Që nga e mërkura e javës së kaluar rreth 1,100 persona janë larguar nga Rripi i Gazës përmes pikës së kalimit kufitar me Egjiptin, Rafahut, sipas një marrëveshjeje që me gjasë është arritur mes Shteteve të Bashkuara, Egjiptit, Izraelit dhe Katarit, ky i fundit një vend që ndërmjetëson me Hamasin.
Ndërkohë gjatë telefonatës së tij të hënën me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Presidenti Joe Biden nuk arriti një marrëveshje mbi nevojën për një pauzë humanitare të luftës Izrael-Hamas. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të mbrojë qëndrimin për pauza të përkohshme e të lokalizuara të luftimeve”.
Drejtori i CIA-s William Burns, ndodhet në Lindjen e Mesme për takime me zyrtarë të shërbimeve të zbulimit dhe udhëheqës të disa vendeve për çështje që lidhen me luftën mes Izraelit dhe Hamasit, tha të hënën një zyrtar amerikan.
Mes temave që do të trajtohen është edhe fati i rreth 240 personave që mbahen peng nga grupi militant në Gazë, si dhe angazhimi amerikan për të parandaluar aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë që të zgjerojnë luftën në rajon, tha i njëjti zyrtar, i cili foli në kushte anonimiteti./VOA