Është pothuajse e pamundur që në raportin e përditshëm të Policisë së Kosovës të mos ketë raste të dhunës në familje.
Këto raste raportohen çdo ditë, herë më shumë e herë më pak. Këtë të premte, aty ka një rast të dhunimit, një sulm seksual e disa raste të dhunës në familje.
Në të gjitha këto raste si rëndom, viktimat e dhunës janë gratë. Një rast dhunimi ndaj një personi të gjinisë femërore, ka ndodhur në Komunën e Fushë Kosovës, ku i dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Një tjetër rast ku viktimë është një person i gjinisë femërore, ka ndodhur në Komunën e Shtimes, ku dyshohet se ajo është sulmuar seksualisht nga një person i gjinisë mashkullore. I dyshuari edhe në këtë rast është arrestuar.
Ndërkaq, gjashtë raste janë raportuar për dhunë në familje, tre prej tyre janë të raportuara në rajonin e Prishtinës.
Në të gjashtë rastet viktimë e dhunës janë gratë.
Ndryshe, të mërkurën rreth orës 18:00 u vra një grua shtatzënë në oborrin e Klinikës Gjinekologjike në Prishtinë, edhe pas 40 orëve i dyshuari, bashkëshorti i saj Sokol Halili nuk është arrestuar.