Vazhdon iniciativa “Barnatorja” e emisionit “Radar”

Edhe të enjten e 13 tetorit ka vazhduar iniciativa “Barnatorja”, ku për gjysmë ore sa ka zgjatur iniciativa, qytetarët të cilët trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kanë pasur mundësi të marrin barërat falas

Foto ilustrim

Ka vazhduar Iniciativa “Barnatorja”, një bashkëpunim mes emisionit “Radar” me Edita Dolin, në Radio Dukagjini, ushtarëve të “Radar-it’ dhe MN Farm e cila gjendet në hyrje të QKUK-së në Prishtinë.

Edhe të enjten e 13 tetorit, për gjysmë ore sa ka zgjatur iniciativa “Barnatorja”, qytetarët të cilët trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kanë pasur mundësi të marrin barërat falas. E gjithë rrjedha e iniciativës “Barnatorja” u transmetua drejtpërdrejt në RTV Dukagjini.

Shumë qytetarë që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, kishin krijuar radhë të gjatë para barnatores MN Farm, të cilët prisnin për tu furnizuar falas me barna, mundësi kjo që ofrohet përmes iniciativës “Barnatorja” nga emisioni “Radar” në Radio Dukagjini.

Pronarja e MN Farm, Majlinda Nushi, kërkoi që sa më shumë të përkrahet iniciativa “Barnatorja”, pasi sipas saj, kohëve të fundit janë shtuar rastet e familjeve që nuk po arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet e medikamenteve.

“Çdo ditë kemi raste nga më të ndryshmet. Familje me kushte të vështira financiare që iu duhen medikamentet që kanë kosto të lartë. Andaj, kërkoj që iniciativa “Barnatorja” të përkrahet sa më shumë, në mënyrë që t’iu dalim në ndihmë shumë familjeve”, ka thënë Nushi.

Edhe qytetarët që patën mundësi të shërbehen falas ishin mjaft falënderues për ndihmën dhe punën që po e bënë emisioni “Radar” në Radio Dukagjini.

Çmimi për barnat e dhuruara nga emisioni “Radar”, bashkë e ushtarët e vet është shuma 979.78 euro. Iniciativa “Barnatorja”, realizohet një herë në javë, gjatë emisionit “Radar” në Radio Dukagjini.