Komisioni Qendror i Zgjedhjeve [KQZ] është duke e vazhduar procesin e numërimit të votave me postë për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit.
Me 14.36 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 2.669 vota apo 44.33 për qind prej tyre.
Në vendin e dytë sa i përket votave të fituara është Lidhja Demokratike e Kosovës me 2.020 vota apo 33.55 për qind, pasuar nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët e Intelektualët me 9.68 për qind apo 583 vota.
Ndërkaq, Paria Demokratike e Kosovës, sipas rezultateve të deritanishme ka marrë 390 vota apo 6.48 për qind.
Për këto zgjedhje, qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit kanë mundur të votojnë në dy mënyra: përmes postës dhe votimit fizik në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës.
Numërimi i votave me postë nisi më 28 shkurt, teksa numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës është drejt fundit.