Ndonëse marrëveshja e arritur në Bruksel për targa në mes të Kosovës e Serbisë ka skaduar më 21 prill, në kufirin e të dy shteteve është duke vazhduar përdorimi i stickersave, për hyrje-dalje nga të dyja vendet.
Qytetarët kanë thënë për Televizionin Dukagjini se procedura është e njëjtë dhe se nuk ka ndonjë kërkesë shtesë nga policia kufitare, përveç stickersave.
Në takimin e 21 prillit në mes të dy delegacioneve të Kosovës dhe atij të Serbisë, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, kishte njoftuar se bisedimet për një marrëveshje përfundimtare për targat janë në rrugë të mbarë.
“Takimi i sotëm i kryenegociatorëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në rrugë të mbarë. Ne kemi një axhendë të plotë të çështjeve aktuale, duke përfshirë targat, zbatimin e marrëveshjeve të kaluara të Dialogut dhe përgatitjen e terrenit për një takim të ardhshëm të nivelit të lartë”, kishte shkruar Lajçak.
Përkundër këtyre shenjave pozitive që i kishte dhënë Lajçak, nuk pati marrëveshje mes dy shteteve.
Kryenegociatori i Kosovës, zv.kryeministri i Kosovës dhe i ngarkuari me dialog, Besnik Bislimi, në një konferencë për media ka thënë se, me palën serbe nuk kanë arritur marrëveshje, pasi, sipas tij, ka zero gatishmëri nga pala serbe për të gjetur një zgjidhje të përhershme.
”Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draft-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, deklaroi Bislimi.
Palët priten të takohen përsëri në Bruksel, për një mundësi tjetër të ndonjë marrëveshjeje eventuale.