Sekuestrimi i objekteve të ndërtuara në mënyrë ilegale në zonën e Brezovicës do të vazhdojë edhe të mërkurën e 12 tetorit.
Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Ferizaj, duke thënë se në Brezovicë, më saktësisht te Zona e II-të e Parkut Kombëtar “Sharri”, janë të ndërtuara rreth 100 objekte në kundërshtim me Ligjin.
“Raportet e pranuara lidhur me këtë rast nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i AMMK-së, vërtetojnë se në këtë zonë janë të ndërtuara rreth njëqind (100) objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
Ndërsa, të martën e 11 tetorit, Prokuroria Themelore ka bërë të ditur se ka sekuestruar përkohësisht rreth 100 objekte të ndërtuara në zonën e Brezovicës, përkatësisht te zona e dytë e Parkut Kombëtar “Sharri”.
Nën udhëheqjen e prokurorit Rasim Maloku, ka filluar të martën sekuestrimi i përkohshëm i vilave që dyshohet se janë ndërtuar pa kritere.
E gjithë kjo pasi në zonën e dytë të Parkut Ndërkombëtar të Sharrit nuk lejohet të ketë ndërtime të tilla.
Pothuajse të gjitha objekteve në këtë lagje u janë vendosur shiritat e verdhë paralajmërues, nga ato që kanë pasur vetëm themelet e deri te ato të gatshme për banim.
Prokurori i rastit, Rasim Maloku ka thënë për RTV Dukagjinin se aksioni në fjalë është kurorëzim i të gjitha aksioneve të tjera të rastit të njohur si “Brezovica”.
Maloku ka shtuar se do të drejtojnë kërkesë në gjykatë për rrënimin e tyre.
“Ne do të paraqesim kërkesën te Gjykata dhe është vendimi përfundimtar i gjykatës që të rrënohen, kjo është çështje ligjore dhe besojmë se edhe gjykata do të marrë vendim për rrënimin e tyre”, ka thënë ai.
Ndërsa, deri më tani, dosja “Brezovica” ka dërguar prapa grilave mbi 30 persona, përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë të cilët dyshohet se janë përgjegjës për ndërtimin e mbi 500 vilave dhe hoteleve në zonën e mbrojtur të maleve të Sharrit.