Me 21 dhe 22 maj nga ora 06:00 deri në 23:40, do të vazhdojë testimi i dytë i unazës së qytetit, e cila në këto dy ditë do të shndërrohet në qarkore njëkahëshe për automjetet.
Kështu bëri të ditur Komuna e Prishtinës, e cila në njoftimin e saj ka thënë se disa prej rrugëve do të jenë të mbyllura për automjete dhe do të shfrytëzohen për aktivitete kulturore.
“Ju njoftojmë se, të shtunën më 21 maj dhe të dielën më 22 maj, duke filluar nga ora 06:00 – 23:40 vazhdon testimi i dytë i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të Kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet”
Gjatë fundjavës qarkorja njëkahëshe do të jetë funksionale në drejtim të këtyre rrugëve:
Rruga “Agim Ramadani” nga semaforët pranë ish-menzës së Studentëve e deri te rrethrrotullimi prapa ndërtesës së Komunës.
– Rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia
– Rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE
– Rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore
– Rruga “Garibaldi” deri te semaforët pranë Grandit
Tutje, në njoftimin e Komunës së Prishtinës, qytetarëve iu bëhet thirrje për durim, pasi sipas tyre, qëllimi kryesor i testimit “është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të task-forcës rrugore, si dhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor”.
Gjatë testimit të qarkores njëkahëshe, të shtunën dhe të dielën, më 21 dhe 22 maj të vitit 2022, transporti me Trafikun Urban në Prishtinë, do të jetë falas për të gjithë qytetarët.