Ka pesë ditë që është aktiv e ende nuk po arrihet të shuhet në tërësi.
Deri sot Brigada e Zjarrfikësve në Prizren e ka menaxhuar situatën e vetme kurse nga kjo e martë në ndihmë i dolën edhe komuna të tjera.
Pavarësisht zjarrit që po vazhdon, sipas Agjensionit për Menaxhimin e Emergjencave nuk ka rrezik.
“Në situatën e krijuar nga zjarri në sipërfaqe të hapur në parkun nacional ne Prevallë, aktualisht janë në operacione për fikjen e zjarrit nga toka përveç Njësisë së Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit nga Prizreni, edhe Njësitet e Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit nga Gjakova, Prishtina dhe Ferizaj. Rrezik për jetë dhe pasuri të banorëve në Prevallë nuk ka, deri sa përpjekjet për ta mbajtur në kontroll dhe lokalizuar zjarrin vazhdojnë nga kapacitetet e komunës së Prizrenit me Komunat në ndihmë. Prezent në operacion me mbështetje janë edhe Policia e Kosovës, pjestarët nga parku nacional Prevallë, Shërbimi Emergjent Mjekësor nga Prizreni. Nga afër, situata koordinohet nga Z.Ministri i MPB z. Gashani, Zv.Drejtor i AME-s z. Abdullahu me staf nga Agjencia, ne koordinim të vazhdueshëm me QOE 112”, thuhet nga Agjencioni për Menaxhimin e Emergjencave.
Duke parë rëndësinë e vatrës së zjarrit, ekspert të çështjeve thonë se reagimi nga institucionet qendrore do të duhej të ishte më i hershëm e njëheri, në masë më të madhe.
“Agjensioni për menaxhimin e emergjencave në rast se komunat nuk mund të menaxhojnë, ata duhet të bëjnë kërkesa që të dilet në ndihmë. Qoftë të formohet shtab emergjent por edhe të kërkohet kërkesë të KFOR-i për të ndihmuar. Burimet njerëzore në rast të fatkeqsive edhe të zjarrfikësve të cilët janë reaguesit e parë në çdo rast emergjent, duhet të bëhet investim por investim edhe në pajisje që në shumicën e rasteve janë të stërvjetruara dhe lënë për të dëshiruara. Qeveria duhet të ndajë investime”, ka thënë eksperti për menaxhimin e emergjencave, Tahir Ahmeti.
Pavarësisht insistimit të institucioneve se nuk ka rrezik për banorët, tashmë dëmi në ambient është i madh.
E nga Ministria e Mjedisit thonë se tanimë kanë ndërmarrur hapat e tyre.
“Është formuar edhe një shtab emergjent me pjesëmarrja nga Institucionet qendore dhe lokale për menaxhimin e situatës. Dje dhe sot në vendin e ngjarjes kanë dalur brigadat e zjarrëfikësve nga Prizreni, Prishtina, Gjakova, Ferizaj dhe Rahoveci me pajisje dhe me makineri përkatëse, pastaj Policia e Kosovës dhe përfaqesues nga Agjencia e Emergjencave dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme. Përmes kërkesave dhe koordinimit kanë ndihmuar edhe Këshilli i Sigurisë, ndërsa në vendin e ngjarjes gjatë ditës së hënë ka dalë edhe përfaqesuesit e FSK. MMPHI, përmes njësive të saj perkatesisht AMMK dhe DAPK Sharri, ka asistuar duke monitoruar situatën, duke informuar palët relevante dhe duke adresuar kërkesat përkatëse tek institucionet relevante. Lokaliteti ku aktualisht janë aktive vatrat e zjarrit, për shkak të konfiguracionit eshte i paqasshëm me automjete dhe makineri, dhe intervenimi i vetëm mbetet parandalimi i përhapjes përmes pajisjeve të shpinës dhe dorës që përdorin rojet dhe zjarrfikësit. Ne do të jemi në gjendje gatishmerie të ofrojmë informacionet e nevojshme për koordinatat e lokacionit të zjarreve nëse paralajmërohet intervenimi nga ajri nga KFOR-i2, thuhet nga Ministria e Mjedisit.
Gjatë të hënës, KFOR-i anuloi planet për të asistuar në shuarjen e zjarrit nga ajri dhe për këtë, nga drejtoria e Emergjencave në Prizren iu tha televizionit se KFOR-i nuk e kishte parë të arsyeshme.
Megjithatë, nga KFOR nuk i janë përgjigjur interesimit të Dukagjinit lidhur me çështjen.