“Raportohet se në brendi të lokalit të shoqatës të verbërve dhe shurdhmemecëve është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Dyshohet që viktima është goditur me një mjet të fortë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti duke u hetuar”.
Kështu thotë raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës për rastin e 65-vjeçarit që dyshohet të jetë vrarë në Mitrovicë, të martën.
Sipas raportit, dyshohet se viktima është goditur me një mjet të fortë.
Ndërkaq, të martën, lajmin për Portalin Dukagjini e kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Avni Zahiti.
Ai kishte thënë se kanë nisur hetimet për veprën penale të vrasjes.
“Vrasje / Sot, rreth orës 14:35, është raportuar se brenda objektit të Shoqatës së të Shurdhërve në rrugën ‘Avni Shabani’ në Mitrovicë, është gjetur pa shenja jete viktima N. G., 65-vjeçar. Bazuar në hetimet fillestare në vendin e ngjarjes si dhe ekzaminimet e kryera, me urdhër të prokurorit, hetimet për rastin kanë nisur në drejtim të veprës penale vrasje. Ndërsa, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Rrjedha e mëtejme hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit, në drejtim të zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale ‘vrasje’”, kishte thënë Zahiti.