Vdes Gjenerali Jackson, njeriu që e nënshkroi kapitullimin e Serbisë

Mik Jackson, gjenerali britanik që nën ombrellën e NATO-s e nënshkroi marrëveshjen e Kumanovës, e udhëhoqi procesin e demilitarizimit të UÇK-së si dhe shërbeu si komandanti i parë i KFOR-it, ka vdekur në moshën 80 vjeçare. Përpos përfaqësuesve politikë që reaguan, për figurinë e tij për TV Dukagjini folën edhe ish-komandantë të UÇK-së, të cilët me gjeneralin Jackson janë takuar shpesh dhe kanë çka tregojnë për të

Në moshën 80 vjeçare vdiq njeriu që figurativisht ia dha “shkelmin” e fundit nga toka e Kosovës, policisë, paramilitarëve dhe ushtrisë së Serbisë.

Gjysmën e 80 vjetëve jetë, gjenerali britanik, Sir Mike Jackson i kaloi me uniformën ushtarake, ndërsa në historinë e Kosovës, emri i tij do të mbetet i shënuar, si nënshkrues i marrëveshjes së Kumanovës, komandanti i parë i KFOR-it, si dhe njeriu që e trasoi rrugën e UÇK-së.

“Gjeneral Jacksoni ka qenë gjithmonë njeri që na ka spjeguar na ka treguar se si do të arrihet deri te marrëveshja, gjeneral Jacksoni ka pasur bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Sekretarët e shteteve, me personalitete e jashtme, janë pyetur në vazhdimësi se si do të arrijmë. Është ardhur versioni i parë për transformimin e UÇK-së me të cilin nuk jemi pajtu, pastaj është dhënë versioni i dytë dhe është shpjegu ky version se si do të avansojë në marrëveshje”, tha ish-komandanti i UÇK-së, Shukri Buja.

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Nerodimes, i kujton shumë takime me gjeneralin Jackson, por vetëm gjatë një dreke tri orëshe në Lipjan, tregon se ka mundur ta njoh më për së afërmi.

Buja thotë se gjenerali britanik ishte shumë i rezervuar por qëndrimet i kishte të njëjta me kryeministrin britanik, Tony Blair, pro popullit të Kosovës dhe ëndrrës për shtet.

Pas lajmit për vdekjen Gjeneralit që ushtria mbretërore ia kishte dhënë nofkën “Princi i errësirës”, ka reaguar i pari i Qeverisë.

 “Shëndeti nuk e la të vinte në Kosovë dhe të na bashkohej në shënimet e 25-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, por Gjeneral Michael Jackson ka hyrë përgjithmonë në historinë moderne të Kosovës. Në moshën 80 vjeçare, të martën e 15 tetorit 2024, gjenerali britanik Mike Jackson, vdiq i sëmurë nga kanceri në prostatë. Mike Jackson ishte njeriu që në emër të trupave të NATO-s e nënshkroi Marrëveshjen Teknike Ushtarake në Kumanovë më 9 qershor 1999, e cila i dha fund luftës në Kosovë duke shënuar kapitullimin e Ushtrisë së Jugosllavisë dhe Policisë së Serbisë. Gjeneral Jackson ishte komandanti i parë i trupave ushtarake të misionit të KFOR-it, duke qenë kështu në krye të fazës finale të çlirimit të Kosovës, në qershor të vitit 1999. Jeta dhe karriera e Mike Jacksonit, ishte një jetë e përkushtuar prej ushtaraku, ashtu siç sugjeron edhe vet ai te libri autobiografik i tij, i titulluar thjesht “Ushtar”. Populli dhe shteti i Kosovës, i kujtojnë miqtë dhe përkrahësit e tyre, në rrugën e pafundme të historisë së lirisë dhe të shtetndërtimit. Në kujtim të Gjeneral Michael Jacksonit, me mirënjohje të thella dhe vlerësime të larta”, tha kryeministri Albin Kurti.

Edhe krerët e opozitës kanë shprehur vlerësime të larta për kontributin e Jackson, njëri prej të cilëve, atë kohë ishte Komandant i Zonës së Dukagjinit.

“Me dhembje mora lajmin për ndarjen nga jeta të gjeneralit Mike Jackson, komandantit të parë të KFOR-it pas luftës në Kosovë. Roli i tij në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në një kohë sfiduese për popullin tonë ishte jetik. Përkushtimi i tij në bashkëpunimin me krerët e UÇK-së dhe në përpjekjet për paqe do të mbetet gjithmonë i paharruar. Ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen dhe të gjithë ata që e njohën dhe bashkëpunuan me të. Pushoftë në paqe”, ka thënë kryetari i PDK-së Memli Krasniqi.

 “Lajmi për shkuarjen në amshim të Gjeneralit Mike Jackson, Komandantit të parë të KFOR-it, më mërziti shumë pasi që ai ishte personalitet që dha një kontribut të jashtëzakonshëm që në ditët e para të lirisë. Gjeneral Jackson, ishte lider pragmatik, ushtarak me plot kuptimin e fjalës dhe mik i madh i Kosovës. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në disa procese vendimtare për vendin”, tha kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj.

Gjenerali Sir Mike Jackson, ishte përplasur edhe me gjeneralin amerikan Wesley Clark, duke refuzuar urdhrin e tij për largimin e ushtarëve rus që e kishin zaptuar aeroportin e Prishtinës.

Përgjigja e britanikut për Clark ishte e shkurtër, “Nuk do ta fillojë Luftën e Tretë Botërore për Ju”.

Shija e redaktorit

Në garë me shtëpi botuese nga gjithë Evropa, “Dukagjini” fiton...

Botimi shkollor “Edukatë muzikorë 3” i shtëpisë botuese “Dukagjini” ka triumfuar në garën ‘‘Grupi i Botuesve Evropianë për Arsim – EEPG, duke fituar çmimin...

“Respektohej nga Lindja e Mesme deri në ShBA” – Hoxhaj...

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe aktualisht deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar lart rolin e ish-myftiut dhe ish-ambasadorit Rexhep Boja,...

Shqipëria nis negociatat për anëtarësim në BE, Rama: Një hap...

Shqipëria ka bërë një hap në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian (BE) duke hapur zyrtarisht kapitujt e parë të...

Të fundit nga rubrika