Një 22-vjeçar nga Malisheva ka ndërruar jetë pas pesë ditësh qëndrimi në gjendje kome, si pasojë e një aksidenti të rëndë që kishte pësuar në vendin e punës.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar për mediat zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Sipas Policisë, ngjarja kishte ndodhur më 7 prill në fshatin Dragobil të Malishevës, ku i riu ishte lënduar rëndë gjatë punës. Fillimisht ai ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, ndërsa më pas ishte transferuar në QKUK në Prishtinë.
“Jemi njoftuar nga stafi mjekësor se viktima ka ndërruar jetë sot”, ka thënë Elezaj.
Policia ka nisur hetimet për rastin, i cili është cilësuar si: “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor.