Policia e Kosovës ka njoftuar se një grua e moshuar të hënën, ka vdekur në fshatin Kopernicë të Kamenicës.
Përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se ajo ishte e moshës 83-vjeçare e që dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga ballkoni i shtëpisë së saj, i cili ka qenë pa mbrojtëse, kështu duke pësuar lëndime vdekjeprurëse.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Kamenicë, me datën 09.01.2023 rreth orës 08:35, është njoftuar se një person në fsh.Kopernicë, dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga ballkoni i shtëpisë së saj, i cili ka qenë pa mbrojtëse, duke pësuar lëndime vdekjeprurës”.
Vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes e ka konstatuar mjeku kujdestar.
“Njësitet policore relevante dhe Prokurori i Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes”, thuhet tutje në njoftim.
Ndërsa, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti “Vdekje aksidentale”. Trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar familjarëve për përfundim të ceremonive mortore.