Një fëmijë 5-vjeçar ka vdekur pasditen e kësaj të shtune në Vushtrri, si pasojë e lëndimeve që dyshohet të jenë nga arma e zjarrit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka konfirmuar për Dukagjinin se fëmija ishte dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Vushtrrisë.
“Rreth orës 17:20, është raportuar se në Spitalin e Vushtrrisë, një fëmijë i moshës 5 vjeçar është sjellë për ndihmë mjekësore, ndërkohë nga autoritetet mjekësore është bërë e ditur se si pasojë e lëndimeve që dyshohen të jenë nga arma e zjarrit fëmija ka vdekur”, ka thënë Zahiti.
Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së fëmijës.
“Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë dhe një armë e llojit pistoletë. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksionin në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë””, ka deklaruar Zahiti.