Në spitalin Rajonal në Gjakovë ka ndërruar jetë një grua pasi është goditur nga një veturë.
Sipas raportit 24-orësh të policisë, me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.
Ndërkaq, në Podujevë është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi, i njëjti, ka sulmuar fizikisht me shufër dhe thikë, tri viktimat meshkuj.
“Viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe, të njëjtit, janë dërguar për tretman mjekësor, derisa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.
Në anën tjetër, në Prishtinë është prangosur i dyshuari kosovar për arsye se, i njëjti, fshehtas kishte fotografuar kartelat bankare të klientëve në dyqanin ku punonte, dhe pastaj me, të njëjtat kartela, ka blerë kriptovaluta, raporton Albanian Post.
“Me këtë rast janë identifikuar disa persona që janë dëmtuar ekonomikisht dhe dëmi i shkaktuar është disa mijëra euro”, ka njoftuar policia.
Në Prizren janë arrestuar dy persona pasi u është konfiskuar substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë me peshë prej 0.75 gram dhe marihuanë me peshë prej 1.20 gram.
Sipas raportit 24-orësh, po ashtu, janë shqiptuar 1966 tiketa dhe janë arrestuar 32 persona.