Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se në Spitalin Rajonal të Gjilanit ka ndërruar jetë i burgosuri J.I, i lindur në vitin 1946.
Sipas SHKK-së, i ndjeri ishte duke marrë trajtim mjekësor në Njësinë Koronare të këtij spitali që prej caktimit të masës së paraburgimit, për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore.
“I ndjeri, për shkak të problemeve të rënda shëndetësore, që nga caktimi i masës së paraburgimit, ishte duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit, në Njësinë Koronare, nën kujdesin e mjekëve të kësaj qendre”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
SHKK-ja ka bërë të ditur se organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat e nevojshme ligjore, ndërsa autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.