Një aksident tragjik ka ndodhur këtë të diel në Prizren, ku një punëtor 25-vjeçar ka humbur jetën gjatë punës.
Sipas policisë, incidenti ka ndodhur në ora 15:40, në rrugën “Ekrem Rexha”, në një ndërtesë që po rinovohet.
A. G., punëtor nga fshati Vragoli i Fushë Kosovës, ishte duke punuar në katin e fundit të objektit kur një profil metali ka rënë nga lartësia dhe e ka goditur në kokë.
Ekipi i Urgjencës ka konfirmuar vdekjen e të riut në vendngjarje.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka deklaruar për Dukagjinin se hetuesit, së bashku me inspektorin e punës, kanë dalë në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat.
“Ju informojmë se me datë 23.11.2024, në ora 15:40, në rrugën “Ekrem REXHA ” në Prizren , në një ndërtesë e cili është duke u rinovuar, brenda në katin e fundit të saj, derisa një punëtor ishte duke punuar nga lartësia bie një profilë metali, i njëjti e godet në kokë punëtorin A. G. 25-vjeçar nga fshati Vragoli, Fushë Kosovë dhe për pasoj i njëjti vdesë, vdekja e tij është konfirmuar nga ekipi Urgjencës. Në vend ngjarje kanë dal hetuesit kujdestar të stacionit dhe Sektori Rajonal I Hetimeve, edhe inspektori i punës është informuar”, ka deklaruar Bytyqi.
Policia, në bashkëpunim me prokurorin kujdestar, po zhvillon hetime të mëtejshme mbi këtë rast tragjik.