Ka vdekur në moshën 63-vjeçare Jon Landau, producenti fitues i çmimit “Oscar” për disa prej filmave me fitimet më të larta në botë të të gjitha kohërave, duke përfshirë “Titanic” dhe “Avatar”.
Landau, i cili ishte për një kohë të gjatë partner producent i regjisorit James Cameron, thuhet se vdiq të premten pasi jetoi me kancer për më shumë se një vit.
Motra e tij, Tina konfirmoi vdekjen e tij në rrjetet sociale, duke e quajtur atë “vëllain më të mirë që një vajzë mund të ëndërronte ndonjëherë”, raporton BBC.
Landau ishte djali i producentëve të Hollivudit Ely dhe Edie Landau dhe për një kohë ishte udhëheqës në kompaninë e prodhimit të filmit “20th Century Fox”, duke mbikëqyrur filmat si: The Last Of The Mohicans dhe Die Hard 2.
Përkrah Cameronit, ai ndihmoi në krijimin e hitit të vitit 1997, “Titanic”, i cili ishte filmi i parë që e kaloi shifrën prej 1 miliard dollarësh në arkat botërore.
Filmat e mëvonshëm “Avatar” dhe vazhdimi i tij “Avatar: The Way of Water”, të cilët u publikuan në vitin 2009 dhe 2022 respektivisht, vazhduan të thyenin rekordin e Titanikut.
Landau gjithashtu bashkëprodhoi filma të tjerë hit, duke përfshirë “Honey”, “I Shrunk the Kids” dhe “Dick Tracy”, dhe mbajti një pozicion drejtues në kompaninë e prodhimit të Cameron Lightstorm Entertainment.