Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka njoftuar të enjten për aksidentin tragjik që ka ndodhur në Vushtrri, ku një shofer ka humbur jetën dhe disa nxënës janë lënduar.
Në një postim në Facebook, Idrizi ka shprehur ngushëllime për familjen e shoferit që humbi jetën, dhe ka theksuar se nxënësit e lënduar janë duke marrë trajtim në Emergjencën e Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për një ngjarje tragjike që ka ndodhur gjatë paradites së sotme në komunën tonë. Në aksidentin e ndodhur gjatë transportit të nxënësve nga fshati Duboc, humbëm një burrë të ndershëm dhe qytetar të përgjegjshëm, shoferin e kësaj linje, Hajzer Sadiku. Po ashtu, disa nxënës janë lënduar dhe ata janë duke marrë trajtim në Emergjencën e Spitalit ‘Sheikh Zayed’. Në emër të Komunës, i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Sadiku dhe u uroj shërim sa më të shpejtë nxënësve të lënduar”, ka shkruar Idrizi.
Nga Policia e Kosovës u konfirmua se aksidenti ka ndodhur në mëngjes rreth orës 08:00, në rrugën lokale të fshatit Galicë në Vushtrri, ku një automjet kishte dalë jashtë rrugës.
Si pasojë e lëndimeve të marra, shoferi i veturës, H. S., 59 vjeç, ka humbur jetën rreth orës 11:00, sipas raportit të SHSKUK-së.
Siç ka konfirmuar për Dukagjinin, Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës, në aksident janë përfshirë gjithsej shtatë pasagjerë, të cilët kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.
“Në aksident është përfshirë një veturë, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara rreth orës 11:00 nga SHSKUK-ja është raportuar se ka humbur jetën shoferi i automjetit viktima H. S., 59 vjeçar, ndërsa lëndime kanë pësuar edhe shtatë (7) pasagjeret që ndodheshin në automjet”, ka thënë Zahiti për Dukagjinin.
Sipas tij, hetimet e para tregojnë se shkaktar i aksidentit mund të ketë qenë pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, çka ka bërë që automjeti të dalë jashtë shtigjeve të tij.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim, ndërsa hetimet vazhdojnë.