Agim Veliu, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëherësh ish-ministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se me anë të grevës në sektorin publik, qeveria ka treguar se është qeveri e ndëshkimit.
“Qeveria e shpresës” sipas tij çdo ditë e më shumë po e tregon fytyrën e vërtetë.
Ndër të tjera, deputeti ka thënë se po vërtetohet se Kurti me kabinetin e tij qëllimisht i është shmangur dialogut dhe ndërprerjes së grevës në arsim, me qëllim që t’i tregojnë “muskujt” karshi mësimdhënësve.
“Ndodhi ajo që edhe mund të pritej, qeveria e mashtrimit ndëshkoi mësimdhënësit dhe duke mos ua procesuar pagat, i la pa bukën e gojës mbi 20 mijë familje”, ka shkruar Veliu në Facebook.
Sipas tij, në kohën e inflacionit më të lartë që nga paslufta, ngritjes enorme të çmimeve dhe “kur qeveria e mashtrimit po paralajmëron dimër të rëndë energjetik, shumica e mësimdhënësve nuk do të marrin paga as në nëntor”.
Po ashtu, ai ka shtuar se pagat e mësimdhënësve do të jenë peng i bankave, duke paguar dy këste të kredisë e me kamata ndëshkuese.
“Prandaj, më shumë se kurrë nevojitet reagim dhe presion opozitar e qytetar mbi qeverinë e mashtrimit që pagat e mësimdhënësve të procesohen menjëherë”, ka vijuar ai.
Ndryshe, grevat e përgjithshme të shpallura më 25 gusht nga BSPK janë pezulluar më tre tetor.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, të hënën ka bërë të ditur për RTV Dukagjinin se pagat për punëtorët e sektorit publik, për muajin shtator, janë ekzekutuar vetëm për ata që nuk kanë qenë pjesë e grevës.
Kryeziu ka thënë se çështja e pagave të grevistëve përcaktohet me ligjin për greva.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, ka thënë ai.
Diferencime sa i përket procesimit të pagave, ka pasur edhe në sektorët e tjerë.
Shërbyesve civilë u ka dalë paga edhe pse ishin pjesë e grevës, kurse mësimdhënësve jo.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, është shprehur i indinjuar me këtë vendim të qeverisë, të cilin e ka quajtur diskriminues e hakmarrës.
“Fatkeqësisht, ende nuk janë procesuar në sistemin arsimor, teksa e keqja shtohet se janë procesuar për shërbyesit civilë që ishin në grevë dhe kjo është një segregacion, nuk ka çfarë të dyshohet për tjetër, përveç ndonjë qëllimi që vetëm qeveria e di”, ka thënë ai.
Tutje, Jasharaj ka paralajmëruar “situatë të acaruar”, nëse nuk procesohen pagat deri më 5 tetor të këtij viti.
“Uroj që deri në kufirin ligjor më 5 tetor, Qeveria të mos e bëjë edhe këtë goditje, por t’i procesojë pagat, përndryshe do të kemi situatë të acaruar. Edhe mediat e kanë parë se edhe kur u bë pezullimi i grevës, votat pro dhe kundër ishin kogja të përafërta. Nuk është e drejtë të shkelen ligjet dhe të shkelet humaniteti. Nëse bëhet kjo goditje, atëherë s’kemi si të mos besojmë se Qeveria i do grevat dhe përplasjet”, ka thënë ai.
Afati ligjor për ekzekutimin e pagave për punëtorët e sektorit publik është më së largu data pesë tetor e këtij viti.