Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka kritikuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për qëndrimet e tij ndaj presidentes Osmani.
Sipas Veliut, është dashur të kalojë një vit, që Abdixhiku ta pranojë se Vjosa Osmani nuk është presidente e të gjithëve.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se tashmë Abdixhiku me presidenten ka vetëm një komunikim institucional, ndërsa derisa e bëri presidente kishte komunikime të përditshme.
“Një presidente që ka ardhur në pushtet nën petkun e VV-së dhe e përkrahur nga disa deputetë të LDK-së të ndikuar nga Lumiri, pra pa konsensus të gjerë, nuk mund të jetë e të gjithëve! E VV-së po, pa dyshim, por pse jo e Lumirit dhe e kompanisë së tij, kjo është pak e çuditshme!”, ka shkruar Veliu.
Ai, ndër të tjera ka shtuar se “Nuk është për t’u habitur pse Vjosa sillet ndaj Lumirit sipas asaj thënies “E kapërceva lumin…”
Sipas tij, askush nuk ka pritur se do të ndryshojë Vjosa, që ka shkëlqyer si politikane përçarëse dhe konfliktuoze, siç thotë ai, deri në përpjekjen për shkatërrimin e partisë që e ka rritur.