Duke kërkuar drejtësi për motrën e tij të vrarë Leonard Ademaj ka thënë se kriminelët duhet të kalbën në burg.
Vëllau i Liridona Ademajt – vrasja e së cilës po dyshohet se u inskenua nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli – ka reaguar pas marshit protestues, ku u bë thirrje për drejtësi për gratë e vrara.
Ademaj ka treguar se “nana vazhdimisht po thotë faleminderit prej tyre që po e bëjnë këtë për Donen time”.
“Nuk kemi fjalë të shprehim mirënjohjen tonë për të gjitha organizimet për të nderuar Liridonen dhe për të kërkuar drejtësi për të gjitha gratë dhe vajzat e vrara. Ditët po na bëhen edhe më të vështira dhe mezi po kalojnë e dhimbja po rritet por organizimet në shumë qytete në Kosovë dhe në Shqipëri po na japin forcë që të mos dorëzohemi”, ka shkruar ai Facebook.
Ademaj ka theksuar se kampanja për drejtësi ka filluar tash
“Kampanja jonë për drejtësi fillon tash, bashkë me juve aktiviste, organizata joqeveritare dhe me mbështetjen e mediave. Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet. Ne besojmë në institucionet e shtetit dhe presim që të ndajnë drejtësi”, ka shtuar Ademaj.