Vendet afrikane janë të gatshme të marrin pjesë në të ardhmen në bisedimet e paqes në Ukrainë, tha presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, më 16 qershor, raportoi Reuters.
Këtë deklaratë Ramaphosa e bëri në Kiev pas një takimi me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Presidenti i Zambisë, Hakainde Hichilema tha se kontinenti afrikan “dëshiron të kontribuojë për paqen në Ukrainë”.
Përfaqësuesit e Afrikës së Jugut, Senegalit, Zambisë, Ishujve Komoros dhe Egjiptit po vizitojnë Ukrainën për të provuar të ndërmjetësojnë paqen midis Kievit dhe Moskës, pavarësisht se tre presidentë hoqën dorë nga vizita.
Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa i bëri thirrje Ukrainës dhe Rusisë që të de-përshkallëzojnë konfliktin.
“Kjo luftë duhet të zgjidhet dhe paqja duhet të vijë përmes negociatave”, u tha ai gazetarëve pas bisedës së tij me Zelenskyn.
Ramaphosa bëri thirrje gjithashtu për qarkullimin e lirë të drithërave.
Moska po kërcënon të largohet nga marrëveshja e njohur si Nisma e Detit të Zi për drithërat, nëse nuk hiqen pengesat për dërgesat e saj të drithërave dhe plehrave.
Ukraina ishte një nga eksportuesit më të mëdhenj të drithërave në botë, para pushtimit rus në shkurt të vitit 2022. Një pjesë e madhe e eksporteve shkonte në vendet e Afrikës.
Anijet luftarake ruse kanë bllokuar portet e Ukrainës në Detin e Zi, duke bërë që çmimet e ushqimeve të rriten shpejt në tregjet globale dhe duke goditur, në këtë mënyrë, më të varfrit në botë.
Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Turqia ndërmjetësuan në marrëveshjen e Detit të Zi për 120 ditët e para të luftës, në maj të vitit 2022, për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës globale të ushqimit. Që atëherë, marrëveshja është kërcënuar disa herë. /REL