Pas më shumë se një viti Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dalë me vendim për të ndjerën Sebahate Morina, e cila ishte vrarë nga bashkëshorti i saj.
Në vendim thuhet se institucionet e Kosovës, respektivisht, Gjykata Themelore në Gjilan, Prokuroria Themelore në Gjilan, Stacioni Policor në Graçanicë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë dështuar ta mbrojnë jetën e të ndjerës Sebahate Morina.
“Kjo e fundit, bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës para Gjykatës kontestoi “veprimet dhe mosveprimet” e autoriteteve shtetërore, përkatësisht, Gjykatës Themelore në Gjilan, Prokurorisë Themelore në Gjilan, Stacionit Policor në Graçanicë dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dhe të cilat, sipas saj, rezultuan në cenimin e të drejtës për jetë të nënës së saj, përkatësisht të ndjerës S.M., në kundërshtim me: (I) të drejtën për jetë të garantuar me nenin 25 [E drejta për Jetën] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 2 (E drejta për jetën) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (II) detyrimet e autoriteteve shtetërore të përcaktuara me nenet 18 (Detyrimet e Përgjithshme), 50 (Reagim, parandalim dhe mbrojtje të menjëhershme) dhe 51 (Vlerësimi i rrezikut dhe menaxhimi i rrezikut) të Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, përkatësisht Konventës së Stambollit”, thuhet në vendim.
Njëzëri, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që kërkesa e familjarëve të së ndjerës Sebahate Morinës është e pranueshme.
“Gjykata, njëzëri vendosi që kërkesa është e pranueshme dhe konstatoi se Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Graçanicë dhe prokurori i Shtetit, përkatësisht Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë dështuar në përmbushjen: (I) e detyrimeve të tyre pozitive për mbrojtje të jetës së S.M.-së”, thuhet në vendim.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, zyrtarët policorë të Policisë në Graçanicë, kishin reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes, por “nuk kishin ndjekur hapat procedural të përcaktuar përmes Ligjit kundër Dhunës në Familje dhe Procedurave Standarde të Veprimit, duke anashkaluar edhe plotësimin e formave standarde përkitazi me vlerësimin e rrezikshmërisë dhe duke mos njoftuar Qendrën për Punë Sociale dhe Mbrojtësin e Viktimave, dhe të cilët, sipas ligjit të lartcekur, do të kishin mundur të marrin hapa shtesë në mbrojtje të S.M,-së”, thuhet në vendim.
Ndërkaq, po ashtu, edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, nuk i kishte kryer detyrat e saj si duhet.
“… ndërsa (II) Prokuroria Themelore në Prishtinë, përgjatë një periudhe dhjetë (10) ditëshe ‘ishte në fazën e grumbullimit të provave dhe informatave të nevojshme për ndriçimin e rrethanave faktike që nuk kanë qenë të njohura për organet përkatëse’, përkundër faktit që autoritet kompetente kishin të dhëna të sakta, pas raportimit të dhunës së 10 nëntorit 2019, përkitazi më L.S.-në, (I) ishte lëshuar një urdhërmbrojtës në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) muajsh; dhe (II) kishte një dënim për veprën penale të dhunës në familje dhe sulmit nga Gjykata Themelore në Gjilan”, thuhet në vendim.
Po ashtu, Gjykata ka vendosur se deklarimi i së ndjerës Sebahate Morina, e cila kishte thënë se “nuk kishte mundësi të paraqitej në polici dhe kishte kërkuar që L.S. të mos burgosej, por mundësisht të lirohej”, nuk e liron “asnjë institucion shtetëror nga detyrimi për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të përcaktuara me ligje dhe rregullativë të aplikueshme në mbrojtje të viktimës të dhunës në familje”.
Pas vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese, për secilat kritere ka konstatuar se organet kompetente nuk kanë reaguar menjëherë, nuk kanë bërë vlerësim të mirëfilltë të rrezikut.
“Pas vlerësimit përkatës për secilin kriter veç e veç, Gjykata konstatoi që në kundërshtim me garancitë e lartcekura kushtetuese, por edhe ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, përfshirë Ligjin kundër Dhunës në Familje dhe Procedurat Standarde të Veprimit, por edhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, të gjitha autoritetet publike janë të detyruara të interpretojnë të drejtat dhe liritë themelore, autoritetet kompetente: (I) nuk kanë reaguar menjëherë; (ii) nuk kanë bërë një vlerësim të mirëfilltë të rrezikut, dhe i cili duhet të jetë autonom, proaktiv dhe i menjëhershëm; (iii) në rrethanat e rastit konkret, dhe marrë parasysh që L.S., tashmë ishte i dënuar paraprakisht për veprën penale të dhunës në familje, ishin në dijeni apo ishin dashur të jenë në dijeni në lidhje me rrezikun e menjëhershëm dhe real për jetën e S.M.-së; dhe (iv) nuk kishin ndërmarrë masa parandaluese për të mbrojtur apo parandaluar privimin nga jeta të S.M.-së”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Sebahate Morina u vra nga bashkëshorti i saj më 14 mars të 2021.