Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.
“Aktgjykimi i Gjykatës fillimisht sqaron që bazuar në paragrafin 4 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, komuna është e autorizuar të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve të Kuvendit ose të akteve të Qeverisë, të cilat cenojnë përgjegjësitë komunale ose zvogëlojnë të hyrat e komunës, në rast se komuna përkatëse është prekur nga ai ligj ose akt. Bazuar në këtë dispozitë, parashtruesi i kërkesës, përkatësisht Komuna e Prizrenit, kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Ky nen përcakton që (i) çdo tatimpagues që është i detyruar të paguajë tatimin mbi pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, kualifikohet për faljen e tatimit; (ii) shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro; (iii) vendimi për faljen e tatimit në pronë merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu tridhjetë (30) ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji; (iv) në rast që tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese; (v) zbatimi i kësaj dispozite mbetet në përgjegjësinë e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë, për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës përkatëse; dhe që (iv) Ministria përgjegjëse për financa nxjerr vendime që mund të jenë të nevojshme për zbatimin e kësaj dispozite”, thuhet në njoftim.
Gjykata Kushtetuese në shtator kishte vendosur masë të përkohshme për nenin e Ligjit për tatimin në pronë, që parashihte faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët por Komuna e Prizrenit e kishte dërguar ligjin për vlerësim në Kushtetuese.
Kushtetuesja ka bërë të ditur po ashtu se periudha 15-ditëshe që komunat të vendosin për faljen e tatimit në pronë, nis nga dita e hyrjes në fuqi të aktgjykimit.
“Aktgjykimi në fund sqaron që (i) marrë parasysh faktin që Ligji i kontestuar ka hyrë në fuqi më 16 gusht 2023, ndërsa rrjedhja e afatit tridhjetë (30) ditor i përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 11/B (Shuma e faljes së tatimit në pronë për pronën e paluajtshme) të Ligjit të kontestuar është ndërprerë me 1 shtator 2023 me vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata, e cila e ka pezulluar zbatimin e nenit 5 të Ligjit të kontestuar deri në vendimmarrjen meritore të saj; (ii) pjesa e mbetur e afatit pesëmbëdhjetë (15) ditor të saktësuar në nenin e lartcekur, fillon të rrjedhë nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi, përkatësisht me publikimin e tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, me ç’rast shfuqizohet edhe Vendimi për Masë të Përkohshme”, thuhet tutje.
Para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës pretendoi se qeveria cenon përgjegjësitë komunale dhe zvogëlon të hyrat e komunës.
“Para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës pretendoi se, dispozita e lartcekur cenon përgjegjësitë komunale dhe zvogëlon të hyrat e komunës në kundërshtim me (i) garancitë kushtetuese të përcaktuara në paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2, 3 dhe 5 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (ii) Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale; dhe (iii) Ligjin nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, Ligjin nr. 03/L-049 për Financat e Pushtetit Lokal dhe Ligjin 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, në esencë dhe ndër tjerash sepse, ndërhynë në ushtrimin e kompetencave vetanake të komunës përkitazi me të hyrat nga tatimi në pronën e paluajtshme dhe afekton buxhetin komunal deri në vlerën prej tre (3) milionë euro, ndërsa në nivel të pushtetit lokal në Republikën e Kosovës, deri në vlerën prej njëzet e shtatë (27) milionë euro, sipas të dhënave të referuara të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu kishte kërkuar nga Gjykata që deri në vendosjen meritore të saj lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit të kontestuar, të vendosë masën e përkohshme, duke pezulluar efektet e tij. Lidhur me këtë të fundit, më 1 shtator 2023, Gjykata, vendosi për (i) miratimin e kërkesës për masë të përkohshme, në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe (ii) pezullimin e zbatimit të nenit 5 të Ligjit nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimin e vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni, deri në afatin e lartpërmendur. Në adresimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Aktgjykimi fillimisht shtjellon parimet e përgjithshme lidhur me vetëqeverisjen lokale sipas Kushtetutës, Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës, si dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”.
Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Ligji i kontestuar përcakton bazën ligjore sipas të cilës mund të falet tatimi në pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, duke saktësuar lartësinë maksimale të faljes së këtij tatimi dhe afatin përkatës kohor brenda të cilit mund të merret vendimi për faljen e tatimit në pronën e paluajtshme dhe kompetencën për një vendimmarrje të tillë ia përcakton kuvendeve përkatëse komunale.
“Aktgjykimi në fund sqaron që (i) marrë parasysh faktin që Ligji i kontestuar ka hyrë në fuqi më 16 gusht 2023, ndërsa rrjedhja e afatit tridhjetë (30) ditor i përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 11/B (Shuma e faljes së tatimit në pronë për pronën e paluajtshme) të Ligjit të kontestuar është ndërprerë me 1 shtator 2023 me vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata, e cila e ka pezulluar zbatimin e nenit 5 të Ligjit të kontestuar deri në vendimmarrjen meritore të saj; (ii) pjesa e mbetur e afatit pesëmbëdhjetë (15) ditor të saktësuar në nenin e lartcekur, fillon të rrjedhë nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi, përkatësisht me publikimin e tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, me ç’rast shfuqizohet edhe Vendimi për Masë të Përkohshme”.
Vendimi i plotë: Njoftim për publikimin e aktgjykimit KO 177/23