Miratimi i vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të jetë të mërkurën e 30 nëntorit në rend dite, në takimin e ambasadorëve të BE-së, në Bruksel.
Në takimin e këtij grupi, të njohur si Coreper, vendimi pritet të miratohet pa diskutim, pasi për tekstin e tij, vendet anëtare të BE-së janë pajtuar më 22 nëntor, në një takim të këshilltarëve për çështje të brendshme dhe drejtësi, shkruan REL.
Teksti është përpiluar nga Çekia, e cila ka udhëheqjen aktuale të BE-së, pas disa takimeve të grupeve punuese dhe diskutimeve dypalëshe me vendet që kanë pasur vërejtje.
Sipas versionit të fundit, në të cilin, ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.
Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
Deri atëherë, Kosova duhet të synojë të ketë “marrëveshje apo aranzhime” për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat, nuk i ka.
Kosovës, po ashtu, i kërkohet të vazhdojë të përshtasë politikën e saj të vizave me atë të BE-së.
Ndryshe, një dhjetori i vitit të ardhshëm, është afati i fundit që qytetarëve të Kosovës do t’u duhet një vizë për të udhëtuar në Evropë.
Kështu të paktën u bë e ditur nga drafti i ri i Presidencës Çeke që u është dorëzuar, e i cili, erdhi pas mosdakordimit të shteteve anëtare gjatë takimit të së enjtes.
Në tekstin e ri, ky afat është shtyrë për një muaj pasi më parë afati ka qenë 1 nëntori.
“Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të zbatohet vetëm nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se mё 1 dhjetor 2023”.
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian, në takimin e grupit punues për vizat, kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit, do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të hynte në fuqi më një nëntor 2023, kur do të nisë edhe zbatimi i sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).
Grupi punues për vizat, në Këshillin e Bashkimit Evropian, ka diskutuar të enjten e 10 nëntorit, për herë të dytë, për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Diskutimi i parë është zhvilluar më 13 tetor, kur shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.
Franca, megjithatë, ka kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS.
Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Ai është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.
Shtetet që e kanë kundërshtuar lidhjen me ETIAS, e kanë argumentuar këtë me faktin se ai sistem mund të mos jetë gati as më 1 nëntor të vitit 2023, dhe kjo do ta shtynte përsëri hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Prandaj, sipas interpretimit të disa diplomatëve, formulimi i ri do të lërë hapësirë që liberalizimi të hyjë në fuqi edhe në rast se do të shtyhet përsëri zbatimi i sistemit ETIAS.
Presidenca çeke e Bashkimit Evropian tash duhet të përgatisë një draft të ri të propozimit, i cili do të futet në procedurën e heshtur në Këshill në nivelin e grupit punues.
Nëse asnjë shtet nuk e kundërshton tekstin e ri deri në një afat të caktuar, me gjasë deri në mesin e javës që vjen, atëherë kjo dosje do të bartet për vendim tek ambasadorët e vendeve anëtare në Këshill, trupin e njohur si Coreper.
Pastaj do të niste edhe trialogu formal me Parlamentin Evropian dhe Komisionin, në mënyrë që të finalizohej i tërë vendimi.
Diplomatët në BE thonë se “synimi është që deri më datën 6 dhjetor, kur në Tiranë zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor, të ketë vendim për këtë çështje në mënyrë që kjo të përmendet si një prej rezultateve të BE-së në raportet me vendet e rajonit”.
Diskutimi i së enjtes në grupin punues ishte i dyti me radhë për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Diskutimi i parë ishte zhvilluar më 13 tetor, ku shumica e vendeve e kishin mbështetur liberalizimin e vizave, asnjë nuk ishte shprehur kundër, por Franca kishte kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS.