Veriu i Kosovës është shpesh në qendër të tensioneve etnike dhe politike, ngjarjeve të ndryshme të dhunshme që kanë lënë pas tragjedi dhe ndarje të thella ndërmjet komuniteteve.
Këtu është bërë një përmbledhje mbi historinë e disa vrasjeve dhe tensioneve të pazgjidhura që kanë prekur veriun e Kosovës, duke filluar që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 dhe duke përfshirë ngjarjen e tmerrshme të fundit.
Vrasja e një polici në veri të Kosovës, më 24 shtator, është një ndër disa incidentet tragjike që kanë ndodhur në këtë zonë të tensionuar.
Vrasje të zyrtarëve policorë, të politikanëve e të tjerëve kanë ndodhur ndër vite në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi e Zubin Potoku përbëjnë komunat e kësaj zone.
Serbët lokalë i kundërshtojnë institucionet e Kosovës dhe e mohojnë shtetësinë e saj.
Zona prej rreth një mijë kilometrash katrorë kufizohet me Serbinë me një kufi të gjatë tokësor, për të cilin autoritetet e Kosovës thonë se është vështirë të kontrollohet.
Në këtë pjesë ka pasur shpesh incidente me të vdekur e të lënduar, për shkak të përplasjeve të popullatës lokale serbe me autoritetet e Kosovës, që duan ta shtrijnë kontrollin e shtetit atje.
Prishtina zyrtare fajëson shtetin serb se po i dirigjon drejtpërsëdrejti incidentet në zonën veriore të Kosovës. E, Beogradi e mohon këtë.
Më poshtë rikujtojmë disa prej incidenteve të përgjakshme në veri që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë.
Shtator 2023
Sipas Policisë së Kosovës, në orët e hershme të datës 24 shtator, dy kamionë pa targa ishin vendosur në urën në hyrje të fshatit Banjskë, duke e bllokuar lëvizjen.
Njësitë policore, ku ishte edhe Afrim Bunjaku, u qëlluan me armë zjarri, pasi arritën në vendin e ngjarjes. Bunjaku nuk u mbijetoi plagëve të marra.
Incidenti ku u vra ai, shënoi fillimin e një përleshjeje të armatosur në mes të Policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur në Zveçan.
Bilanci i 24 shtatorit: Katër të vrarë e disa të plagosur
Pas vrasjes së Afrim Bunjakut, sipas policisë, rreth 30 sulmues të armatosur ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.
Nga shkëmbimet e zjarrit u vranë edhe tre sulmues dhe u lënduan edhe tre pjesëtarë të tjerë të Policisë së Kosovës.
Shtator 2013
Audrius Senavicius, polic i Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), u vra në veri të Kosovës më 19 shtator 2013.
Senavicius u vra në një pritë, në rajonin e Zveçanit, ku u sulmuan dy vetura të EULEX-it, teksa po ktheheshin nga pika kufitare me Serbinë në Jarinjë për në jug të Mitrovicës. Në këtë sulm u lënduan edhe dy kolegë të tij.
Korrik 2011
Enver Zymberi, pjesëtar i Policisë së Kosovës, u vra në veri të Kosovës më 25 korrik 2011.
Mars 2008
Igor Kinal, polic i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), u vra në veri të Kosovës më 17 mars 2008.
Disa javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në përleshjet në mes të serbëve të Kosovës dhe forcave ndërkombëtare policore, mbeti i vrarë polici ukrainas.
Vrasje të tjera që tronditën veriun
Oliver Ivanoviq, politikan serb i Kosovës, u vra më 16 janar 2018 në Mitrovicë të Veriut.
Ai u vra me gjashtë plumba në shpinë, ndërsa askush nuk është dënuar ende për vrasjen e tij.
Mjeku boshnjak, Mesud Gjekoviq, u vra dhe 11 persona të tjerë të përkatësisë etnike serbe u lënduan në një shpërthim në Mitrovicë të Veriut, më 2 korrik të vitit 2010.
Shpërthimi ndodhi derisa mbi një mijë serbë po protestonin kundër hapjes së Zyrës për Regjistrim Civil në Lagjen e Boshnjakëve.
Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar derisa përpjekjet për shtensionimin e saj nuk kanë qenë të suksesshme as përmes dialogut Kosovë-Serbi.
Dy vendet janë duke zhvilluar negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.
Rundi i fundit i bisedimeve ndërmjet tyre, më 14 shtator, përfundoi pa ndonjë marrëveshje./ REL