Kjo rrugë e Komunës së Leposaviqit, të shpie drejt tre fshatrave të banuara me shqiptarë.
Rruga e gjatë për të arritur atje të jep përshtypjen se zona atje është e braktisur.
Megjithkëtë, atje vazhdojnë të jetojnë familje shqiptare nga Koshtova, Bisrica e Ceraja.
“Ky objekt gjendet në Koshtovë të Vllahisë së Leposaviqit. Tash e 5 ditë ky objekt po ruhet nga Policia e Kosovës. Këto masa të shtuara të sigurisë duket se janë paraprirje para se këtu të vendosen Njësitet speciale të Policisë së Kosovës”.

Të paktën, flamujt e Policisë dhe Kosovës të vendosur në këtë objekt tregojnë për një mundësi të tillë.
RTV Dukagjini ka pyetur Policinë për ta konfirmuar një gjë të tillë, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Ky objekt është ndërtuar para rreth 7 vjetësh, por për krejt një tjetër funksion.
Brenda tij kanë mbetur disa paisje të një qendre mjekësore, por që nuk është funksionalizuar asnjëherë për këtë qëllim.
Përshtypjen se ky objekt po përgatitet për tu kthyer në stacion policor, e kanë edhe banorët e këtyre fshatrave.
Amat Musa nga Koshtova thotë se prej kur kanë parë se në atë anë po qëndrojnë policë të Kosovës ndihen më të sigurt.

“Tash na e kanë pru Policinë këtu, policinë tonë, jemi të kënaqur me ta. Shumë kohë kemi rujtë edhe vetë edhe jemi kujdes vetë, tash kanë ardhë policia, Kfori Amerikan po sillen, mos na lashtë zoti pa Kforin Amerikan. E tash këtu ka mu bë stacion se duhet me u ba”, ka thënë Musa.
Se andej nuk ka pasur siguri të plotë asnjëherë e thotë edhe Jetish Halili, banor i Cerajës.

Pavarësisht kësaj dhe faktit që shumë fqinjë të tij kanë braktisur fshatin, ai thotë se s’ka ndërmend ta largohet.
“Siguri në çdo hap nuk ndjejmë siguri aspak, por me ndihmën e Natos, Kfori dhe Njësia jonë Speciale kur po janë këta këndej, ne po ndihemi të sigurt. Unë se kam njet me lëshue, ndaq të bëhet luftë, ose çkado. Le t’më mbysin. Kemi prit edhe kemi shpresu gjithë me ardhë një stacion policer këtu, këto tri fshatra me ditë ku jemi dhe me pasë mbrojtje prej tyre“, ka theksuar Halili.
Ndërkaq në afërsi të pikës kufitare në Bërnjak, punimet në stacionin e ri të policisë kufitare janë në përfundim.
Krahas kësaj, praninë dhe patrullimin në këtë zonë e kanë shtuar së fundmi Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës si dhe trupat e KFOR-it.