Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në komunën e Drenasit, Nexhmedin Gruda ka dhënë detaje për situatën në këtë komunë pas vërshimeve të së dielës.
Në një intervistë për RTV Dukagjini, Gruda ka thënë se që nga dita e djeshme kur kanë filluar të reshurat e shiut, Komuna e Drenasit është atakuar me të reshura, më së shumti në zonën e rrugës Komoran – Drenas, saktësisht në fshatin Zabel të Ulët.
Ai ka treguar se kanë evaakuar disa familje, ndërsa disa të tjera i kanë udhëzuar të kalojnë tek fqinjët.
“Nga sot kemi pasë kërkesa të qytetarëve për evakuuim të familjeve, ku disa nga to i kemi udhëzuar të kalojnë në katin e dytë”, ka thënë Gruda.
Ai ka thënë se komuna e Drenasit në këto raste është në koordinim me ekipet emergjente, si njësitet e Zjarrfikësve për tu bërë intervenimet e nevojshme.
“Varësisht nga reshjet e shiut, nëse janë të mëdha nganjëherë komuna nuk mund të jetë në gjendje të intervenojë menjëherë. Pasi përfundojnë vërshimet është komisioni për vlerësimin e dëmeve e bëjnë raportin që të bëhet kompensimi i tyre. Nga reshjet e kaluara ne kemi bërë evitimin e tyre duke sanuar problemet dhe hapjen e kanaleve që në të ardhmen mos të kemi situata të njëjta”, ka thënë Gruda.
Ndryshe, të dielën pas reshjeve të dendura të shiut në disa zona të Komunës së Drenasit janë paraqitur vështirësi në kalimin e lirë të veturave.
Kjo ka ndodhur sidomos në zonën e rrugës Komoran – Drenas, saktësisht në fshatin Zabel të Ulët.