Vërshimet shkaktuan dëme të mëdha në Llap, gjendja më e rëndë paraqitet në Pakashticë

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se dëmet infrastrukturore, por edhe të ekonomive familjare, janë të mëdha në Llap

Vërshimet në Podujevë

Dëme të mëdha në infrastrukturën rrugore, ekonomi familjare dhe në bujqësi, janë shkaktuar nga reshjet e mëdha të shiut në Podujevë.

Gjendja më e rëndë vazhdon të mbetet në fshatin e Pakashticë e Epërme, ku është shembur rruga dhe është e pakalueshme sipër fshatit. Ndërkaq, për pjesën tjetër të rrugës në hyrje të fshatit, komuna është në përpjekje të vazhdueshme për hapjen e tërësishme të kësaj rruge për banorët.

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se dëmet infrastrukturore, por edhe të ekonomive familjare, janë të mëdha në Llap.

Bulliqi thotë se rruga e Pakashticës është hapur në ato vende ku ka qenë e bllokuar, por shton se dëmet nga shembjet e rrugës mund të kapin shumën mbi gjysmë milioni euro, për çka tha se do të kërkojnë ndihmë nga Qeveria për sanimin e saj.

“Kemi arritur të debllokojmë rrugën, situata duket të jetë nën kontroll, por nga vëzhgimet e fundit që po i shohim, dëmet infrastrukturore, por edhe të ekonomive familjare janë të mëdha. Prandaj, sipas të gjitha gjasave, do të kemi nevojë për ndihmë nga niveli qendror për arsye se vetëm kostoja e kësaj rruge në Pakashticë që ka vende e cila është dëmtuar pothuajse e tëra. Kështu që është e domosdoshme që të bëhet sanimi i tërësishëm i kësaj rruge dhe po duket që dëmet janë relativisht të mëdha. Kam frikë që vetëm kjo rrugë mund të ketë kosto mbi gjysmë milioni euro, të mos flasim për dëmet të tjera në sektorë të tjerë dhe pjesë të tjera të Llapit”, tha ai.

Për dëmet e tërësishme në këtë rrugë, kryetari Bulliqi tha se ende nuk ka ndonjë raport për të dhënat e sakta.

“Nuk guxojmë ta themi një shifër të saktë për arsye se komisioni është i formuar dhe do të del me vlerësime, për arsye se i kemi tri kategori të dëmeve. Kemi dëme në infrastrukturën rrugore, në ekonomitë familjare dhe biznese, por edhe në bujqësi. Besoj se shumë shpejt do të dalim me raportin për dëmet preliminare”, thotë ai.

Bulliqi shtoi se dy familje janë evakuuar në ditën e parë të vërshimeve.

“Jo, nuk ka asnjë familje të rrezikuar dhe kjo është parësore. Dy raste i kemi pasur për evakuimin e familjeve ditën e parë të vërshimeve dhe ato familje janë në vende të sigurta. Pra, dëme në resurse njerëzore nuk kemi, por dëmet materiale po shihen që janë evidente”, tha ai.

Kryetari i fshatit Pakashticë që gjendet në veriperëndim të Podujevës, Naim Hoxha, duke treguar për dëmet e mëdha në këtë fshat, shpreh frikën se reshjet e shiut dhe borës sërish mund ta rrisin nivelin e ujit.

“Kanë nisur reshjet e shiut dhe borës, mund të rikthehen sërish vërshimet, por aktualisht gjendja në këtë fshat është e rëndë. Janë mbi 200 metra mur i rrugës të rrëzuar, urat janë të bllokuara. Kjo pamje nga shembja e rrugës duket sikur ujëvara dhe dëmet janë të hatashme, por sa mund të jenë këto dëme në vlerë monetare ende nuk e dimë… Përveç dëmeve në infrastrukturën rrugore, dëme ka edhe në bujqësi, por për fat të mirë dëme në njerëz dhe shtëpi nuk ka”, tha Hoxha.

Banori tjetër i këtij fshati, Islam Aliu, tha se përmbytjet ia kanë shembur urën dhe e ka të pamundur të futet me veturë në oborrin e shtëpisë.

“Nga vërshimet fundit dëmet janë shkaktuar në urën e hyrjes në oborr të shtëpisë. Rruga është shembur dhe nuk mundem të hyj në shtëpinë time me veturë, vetëm në këmbë. Komuna ka dalë në vendin e ngjarjes për t’i parë dëmet, por ende nuk ka ndonjë intervenim për largimin e ujit në shtratin e lumit dhe për të riparuar dëmet që janë bërë”, thotë ai.

Përmbytjet e fundit në Llap kanë prekur më së shumti fshatrat: Pakashticë, Gllamnik, Sibovc, Kërpimeh, Repë, Bajqinë, Peran e Letanc dhe në disa pjesë të qytetit të Podujevës. /KP/

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika