Vetëm dy të mbijetuar pas rrëzimit të avionit me 181 persona në bord

Një avion pasagjerësh rrëshqiti nga një pistë në një aeroport të Koresë së Jugut të dielën, u përplas dhe shpërtheu në flakë pasi pajisjet e tij të uljes së përparme me sa duket nuk u vendosën. Të gjithë përveç dy nga 181 personat në bord vdiqën në një nga fatkeqësitë më të rënda të aviacionit të vendit

Pjesa e bishtit të avionit që u rrëzua në Korenë e Jugut.

Vetëm dy persona i kanë mbijetuar rrëzimit të avionit në Korenë e Jugut, thanë zyrtarët.

Avioni me 181 persona në bord, teksa po tentonte të ulej, preku pistën, u kaplua nga flakët dhe më pas u përplas për një mur në Aeroportin Ndërkombëtar Muan të Koresë së Jugut. Për shkak të këtij aksidenti ajror, në këtë shtet janë shpallur shtatë ditë zie.

Dy anëtarë të ekuipazhit, një burrë dhe një grua, u shpëtuan nga pjesa e bishtit të avionit, tha zëdhënësi i zjarrfikësve në Korenë e Veriut, Lee Jung-hyun, duke shtuar se është arritur që të shuhet zjarri.

Avioni shkoi në Korenë e Jugut nga Bangkoku i Tajlandës tentoi të ulej në pistë pak pas orës 09:00, sipas kohës lokale, në aeroportin në jug të Seulit, tha Ministria jugkoreane e Transportit.

Autoritetet thanë se dy nga pasagjerët e këtij avioni ishin shtetas të Tajlandës, ndërkaq pjesa tjetër besohet se ishin nga Koreja e Jugut.

Ky është aksidenti më i rëndë ajror ku është përfshirë një kompani ajrore jugkoreane në tri dekadat e fundit.

Në videot e publikuara në rrjetet sociale mund të shihej avioni i llojit Boeing 737-800 duke rrëshqitur në pistë dhe nuk dukej se ka pajisje për ulje, para se të përplasej në një mur dhe të shpërthejë në flakë.

Dy anëtarët e ekuipazhit, që i mbijetuan aksidentit, po trajtohen në spitale dhe autoritetet thanë se ata janë jashtë rrezikut për jetë.

Disa orë pas rrëzimit, familjarët e pasagjerëve u mblodhën në aeroport, teksa atyre u janë dhënë letra që të shkruajnë detaje për familjarët e tyre.

Ky është aksidenti më i rëndë ajror ku është përfshirë një kompani jugkoreane që nga viti 1997, kur një avion i Korean Air u rrëzua në Guam, duke lënë të vrarë më shumë se 200 persona.

Hetuesit po shikojnë nëse faktorët e rrëzimit të avionit mund të jenë goditjet nga zogjtë apo kushtet atmosferike, tha Lee. Agjencia e lajmeve Yonhap citoi autoritetet e aeroportit të kenë thënë se goditjet nga zogjtë mund të kenë shkaktuar mosfunksionimin e pajisjeve për uljen e avionit.

Kulla e Kontrollit kishte lëshuar një paralajmërim për goditje nga zogjtë pak pasi pilotët shpallën emergjencë brenda fluturakes, tha një zyrtar i Ministrisë së Transportit, duke mos specifikuar nëse avioni ishte goitur nga zogjtë.

Pothuajse një minutë pasi pilotët njoftuan për situatën, ata nisën përpjekjen e tyre të dështuar për t’u ulur, tha zyrtari.

Agjencia News1 raportoi se një pasagjer i kishte dërguar mesazh një familjari të tij, duke thënë se një zog kishte goditur krahun e avionit.

Avioni Boeing 737-800, që operohej nga Jeju Air, ishte prodhuar më 2009. Shefi ekzekutiv i Jeju Air kërkoi falje për aksidentin dhe gjatë një adresimi televiziv ai u përkul për të shprehur keqardhje. Ai tha se ende nuk dihet shkaku i rrëzimit, duke shtuar se fluturakja nuk kishte pasur asnjë aksident të mëparshëm dhe nuk kishte tregues se kishte ndonjë problem në avion dhe tha se do të bashkëpunojë me autoritetet për hetimet.

Kur avioni u largua nga aeroporti i Bangkokut, Suvarnabhumi, nuk ishte raportuar për kushte anormale, tha presidenti i aeroporteve të Tajlandës, Kerati Kijmanawat.

E themeluar më 2005, kompania Jeju Air është një kompani ajrore me kosto të ulët që operon në rrugët ndërkombëtare për në Japoni, Tajlandë dhe Filipine, si dhe kryen fluturime të shumta brenda Koresë së Jugut./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Memli Krasniqi: 2025 – Viti i drejtësisë, i fitoreve dhe...

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi, ka përcjellë një mesazh urimi për qytetarët e Kosovës me rastin e ndërrimit të motmoteve, duke...

Presidentja Osmani uron Vitin e Ri 2025: Kosovën ta shndërrojmë...

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka uruar Vitin e Ri 2025 nëpërmjet një video mesazhi, ku ka potencuar rëndësinë e angazhimit që Kosova të...

Të fundit nga rubrika