Vetëmenaxhim apo Asociacion – dykuptimësia e nocioneve në aneksin e zbatimit të planit evropian

Dakordimi në Ohër nga kryeministri i Kosovës, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, për aneksin e implementimit të planit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ndonëse nuk është nënshkruar, është pritur me shumë kritika. Njohësit e zhvillimeve politike në vend kanë thënë se dykuptimësia e nocioneve të përdorura në këtë aneks vështirëson interpretimin e drejtë të tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 18 mars në Ohër arritën pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, marrëveshje kjo e cila ka 11 nene, neni i cili më së shumti është diskutuar ditëve të fundit është neni 7.

Në nenin 7 të kësaj marrëveshjeje kërkohet nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen “për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

Ndërkaq në nenin 5 të aneksit thuhet se për të zbatuar nenin 7, Kosova do të veprojë “në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut” me Serbinë.

Në lidhje me këtë dykuptimësi të fjalëve të përdorura në aneks, analisti politik, Artan Muhaxhiri në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka thënë se përzgjedhja e “vetëmenaxhimit” është bërë me qëllim që në këtë fazë të ndërmjetme, gradualisht të fillojë të përfshihet në diskursin publik edhe si një lloj pranueshmërie në raport me imazhin e skajshëm negativ të “Asociacionit”.

Sipas tij, në këtë lloj të situatave jashtëzakonisht komplekse edhe gjetjet e zgjidhjeve respektive duhet domosdoshmërisht të përkojnë me balancime shumënivelore.

Artan Muhaxhiri, analist politik

“Në situata jashtëzakonisht komplekse edhe gjetjet e zgjidhjeve respektive duhet domosdoshmërisht të përkojnë me balancime shumënivelore. Përzgjedhja e ‘vetëmenaxhimit’ është bërë me qëllim që, në këtë fazë të ndërmjetme, gradualisht të fillojë të përfshihet në diskursin publik edhe si një lloj pranueshmërie në raport me imazhin e skajshëm negativ të ‘Asociacionit'”, ka thënë Muhaxhiri.

Muhaxhiri, ndër të tjera, ka thënë se ende nuk ka shpjegime më të detajshme publike për mënyrën e trajtimit të idesë së “vetëmenaxhimit” nga palët, por krijohet përshtypja se ky koncept është një sinonim zbutës i peshës së rëndë të emrit “Asociacion”.

Ai më tutje ka sqaruar nocionet “Vetëmenaxhim” dhe “Vetadministrim”, teksa ka theksuar se parimisht janë nocione shumë të përafërta, për shkak se sipas tij e përçojnë potencialin për ideimin dhe legjitimimin e mundësive për vendimmarrje brenda ligjshmërisë dhe përshtatshmërisë me sistemin shtetëror të Kosovës.

“Parimisht, ‘vetëmenaxhimi’ dhe ‘vetadministrimi’ janë nocione shumë të përafërta për shkak se e përçojnë potencialin për ideimin dhe legjitimimin e mundësive për vendimmarrje – gjithsesi brenda ligjshmërisë dhe përshtatshmërisë me sistemin shtetëror të Kosovës”, ka vijuar ai.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë të domosdoshme realizimin praktik të të gjitha marrëveshjeve të deritashme, sepse kanë investuar resurse të mëdha në to.

Për Muhaxhirin, marrëveshjet e kaluara konsiderohen si copëza të mozaikut të madh që do ta përbëjë Marrëveshjen Finale dhe siç është shprehur ai, për këtë arsye, do të insistohet në secilën prej tyre, në mënyrë që të kompletohet baza e kapitujve për të arritur drejt kompletimit në një marrëveshje të vetme.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë të domosdoshme realizimin praktik të të gjitha marrëveshjeve të deritashme, sepse kanë investuar resurse të mëdha në to. Marrëveshjet e kaluara konsiderohen si copëza të mozaikut të madh që do ta përbëjë Marrëveshjen Finale. Për këtë arsye, do të insistohet në secilën prej tyre, në mënyrë që të kompletohet baza e kapitujve për të arritur drejt kompletimit në një marrëveshje të vetme”.

Ndërkaq, në pyetjen se nëse zbatohet ky term i quajtur “vetëqeverisje ose vetëmenaxhim” a do të ketë kompetenca ekzekutive, Muhaxhiri ka thënë se për një dekadë në Kosovë është bërë propagandë shumë e madhe me çështjen e kompetencave të Asociacionit.

Sipas tij, struktura institucionale natyrisht që do të ketë kompetenca vepruese, pasi pa to nuk do të mund të funksionojë, por sipas tij, çështja kryesore që theksohet dhe garantohet vazhdimisht nga aleatët tanë është se çdo gjë do të jetë përbrenda kushtetutshmërisë sonë.

“Pra, Kushtetuta e Kosovës do të jetë gardiane e alfës dhe omegës së Asociacionit – gjë që do të duhej të ishte mbështetje qetësuese ndaj shqetësimeve qytetare”, ka theksuar Muhaxhiri.

Ndërsa, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) për Portalin Dukagjini ka thënë se nëse lexohen deklaratat publike të akterëve ndërkombëtarë si Borrell, Escobar dhe Lajçak, neni 7 dhe neni 10 i marrëveshjes e plotësojnë njëra tjetrën, që sipas tij mund të nënkuptohet se Kosova do t’u japë ndoshta kompetenca shtesë serbëve lokalë në kuptim të menaxhimit komunal.

Miftaraj ka thënë se këto kompetenca shtesë do të jenë kryesisht në tri fusha që janë arsimi, shëndetësia dhe zhvillimi ekonomik.

Sipas tij, këto tri fusha mund të jenë apo mund të akomodohen lehtësisht në bazë të kartës evropiane sa i përket vetëqeverisjes së komuniteteve joshumicë në Kosovë duke mos cenuar Kushtetutën e Kosovës.

Ehat Miftaraj – IKD

Ai ka thënë se Asociacioni, nëse zbatohet, nuk do të ketë kompetenca ekzekutive ashtu siç e kërkon Serbia, por do të ketë karakter këshillëdhënës, karakter koordinues, i cili në njëfarë mënyre do t’i koordinojë komunat me shumicë serbe në kuptim të ofrimit të ekspertizës ligjore, ekspertizës në fushën ekonomike, të arsimit apo zhvillimit ekonomik.

“Në anën tjetër Kosova do të themelojë një Asociacion, i cili në radhë të parë nuk do të ketë kompetenca ekzekutive ashtu siç e ka kërkuar ose po e kërkon pala tjetër, por që mund të jetë një Asociacion ku do të ketë karakter këshillëdhënës, karakter koordinues, i cili në njëfarë mënyre do t’i koordinojë komunat me shumicë serbe në kuptim të ofrimit të ekspertizës ligjore, ekspertizës në fushën ekonomike, të arsimit apo zhvillimit ekonomik”, ka thënë Miftaraj.

Rreziku i mundshëm nga zbatimi i njëanshëm i Planit Evropian

Në marrëveshjen e Ohrit thuhet se palët duhet ta zbatojnë marrëveshjen në mirëbesim, pasi nga zbatimi i tyre varet rruga e integrimit në Bashkimin Evropian dhe lëshimi i ndihmave financiare nga Bashkimi Evropian.

Vlen të theksohet se Serbia për interesat e saj kombëtare nuk e ka harmonizuar politikën e jashtme me Bashkimin Evropian për t’i vënë Rusisë sanksionet për shkak të luftës në Ukrainë, dhe si pasojë e kësaj, rruga integruese e Serbisë për në Bashkimin Evropian është ndërprerë nga Parlamenti Evropian, por kjo ende nuk e ka ndryshuar qëndrimin e Serbisë ndaj Rusisë.

Ndërsa, sipas organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), “statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mund të krijohet nga Kosova, por nuk mund të zhbëhet nga Qeveria e Kosovës por vetëm nga Kuvendi i Asociacionit.”

Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka thënë se kërkesa e Bashkimit Evropian për pranimin e Planit Evropian dhe zbatimit të tij është imponim ndaj Kosovës.

“Rreziqet janë të shumta, mbi të gjitha vetë përmbajtja e asaj që është quajtur Plani Evropian, pastaj dhe aneksi. Urgjent i imponohet Kosovës që përmes një Komisioni Special, që është i përbashkët ndërmjet palëve ta implementojë Asociacionin plus më tepër sesa Asociacion i marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015”, ka thënë Baraliu për Portalin Dukagjini.

Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu

“Serbia nuk ka çka respekton, për arsye se pothuajse ajo nuk e ka as një obligim nga plani evropian. Vetëm Kosova ka obligime për të përmbushur, Serbia pothuajse asgjë nuk ka përveç asaj në kapitullin 35 që ata e riformulojnë, sepse Serbia nuk është e interesuar që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ajo është e interesuar që të blejë kohë e ta dëmtojë Kosovën, të përfitojë nga situata në Ukrainë së bashku me Rusinë dhe Kinën”, ka sqaruar ai.

Ndërkohë, ai ka përfunduar duke thënë se Bashkimi Evropian është duke përdorur Kosovën si karrem që ta largojë Serbinë nga Rusia dhe Kina, por për Baraliun kjo është një politikë e gabuar dhe gjithmonë në kurriz të shqiptarëve.

Ndërsa, analisti dhe gazetari hulumtues, Vehbi Kajtazi, ka thënë se në marrëveshjen e Ohrit Kosova ka marrë obligime që mund t’u ikë.

“Themelimi i Asociacionit, ne nuk e dimë se cili do të jetë pa u hartuar statuti, vetëm pasi të hartohet statuti, ne do të shikojmë se çfarë po krijon Kosova. Për mua Asociacioni nuk është problem në thelb, por përmbajtja e cila mund të jetë dhe përmbajtja me gjasë do të jetë goxha problematike për funksionimin e shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Kajtazi.

Analisti, Vehbi Kajtazi

Ndërsa Kajtazi ka ngritur një dilemë se mund të ketë rrezik që Asociacioni të bëhet një pushtet paralel pa e konsultuar Kushtetutën e Kosovës.

“Ka një rrezik tjetër që mund të ndërtohet një pushtet paralel brenda shtetit të Kosovës pa u ndryshuar Kushtetuta e Kosovës, pa pasur ndryshime formale të saj, por një lloj mekanizmi i cili as nuk është futur në Kushtetutën e Kosovës, po as nuk ka pasur ndryshime kushtetuese por kanë qenë problematike për funksionimin e shtetit”, ka deklaruar Kajtazi.

Se çfarë kërkesash lidhur me Asociacionin mund të ketë shteti i Serbisë, Kajtazi ka thënë se pas disa vitesh Serbia mund të thotë se ky model Asociacioni nuk është duke funksionuar por duhen kompetenca shtesë për të.

“Pas disa viteve Serbia do të thotë se nuk po funksionon ky model dhe do të kërkojë rritje të kompetencave të tjera të cilat pastaj mund të dërgojnë në një ndarje të Kosovës me një autonomi të gjerë për serbët lokalë të Kosovës”, ka sqaruar Kajtazi.

“Nuk ka njohje de fakto, problemi është se Serbia ka shumë pak obligim nga kjo marrëveshje në raport me Kosovën”, ka thënë Kajtazi.

Kajtazi ka përfunduar duke thënë se gjëja më e keqe është që shteti i Kosovës ka bërë marrëveshje për statutin e saj.

Ndryshe pas takimit në Ohër, Kurti, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Vuçiq, në anën tjetër, ka thënë se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen për Asociacionin në vitin 2013, ndërsa dy vjet më vonë janë dakorduar për parimet e tij.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se disa parime nuk janë në frymën e Kushtetutës, por ka thënë se nëse ato përshtaten, asociacioni mund të formohet.

Ky asociacion do t’i mundësonte komunitetit serb të menaxhojë çështje të tilla si: zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe planifikimi urban dhe rural në zonat e tij.

Kurti ka thënë më herët se refuzon ta formojë, duke argumentuar se asociacionet njëetnike me kompetenca ekzekutive shkelin Kushtetutën e Kosovës dhe kërcënojnë funksionalitetin e shtetit.

Edhe qeveritë e mëparshme të Kosovës kanë pasur qëndrime të njëjta.

Dakordimi në Ohër nga Kurti dhe Vuçiq, ndonëse nuk është nënshkruar, është pritur me kritika si nga opozita në Kosovë, ashtu edhe nga ajo në Serbi.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika