Të enjten e 16 qershorit, Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), do të mbajnë protestë para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, për shkak të mospërfshirjes së tyre në beneficionet e ligjit për pagën minimale.
Projektligj për pagën minimale kaloi të martën e 14 qershorit, në shqyrtimin e parë në Kuvendin e Kosovës, me 68 vota për, asnjë votë kundër dhe 6 abstenime.
I vetmi deputet i partisë në pushtet që votoi kundër ishte deputeti Fatmir Humolli, i cili edhe e lëshoi sallën pas votimit në parim të projektligjit.
Pro kishte votuar edhe Lista Serbe, e cila pas votimit, lëshoi sallën.
Ndërsa, deputetët e grupit multietnik kanë abstenuar.
Kundër këtij ndryshimi të projektligji kanë qenë partitë opozitare LDK dhe AAK, kurse PDK-ja nuk ka marrë pjesë në seancë.
E për këtë, si shenjë pakënaqësie, veteranët do të mblidhen në orën 9:30 para ndërtesës së Kuvendit.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, kishte deklaruar se disa kategori nuk do të përfshihen në ligjet që do të miratohen për rritjen e pagës minimale nga 170 në 250 euro neto.
Sipas tij, kategoritë e veteranëve të Luftës së UÇK-së, ai për Personat e Verbër, për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë si dhe ai për Tatimin në të ardhurat personale nuk do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku, për protestën e 16 qershorit, ka thënë se pritet të jetë protestë paqësore.
Në emisionin “Personale” të RTV DUKAGJINI, ai ka thënë se protesta pritet që të jetë e qetë, sepse sipas tij, problemi nuk qëndron te policët dhe ndërtesa e Kuvendit, por problemi është me qeveritarët dhe deputetët.
“Nesër presim, dhe ftojmë që veteranët që protesta të jetë paqësore. Ne nuk kemi problem me policët dhe Kuvendin e Kosovës si ndërtesë, ne problemin e kemi me qeveritarë e deputetë”, ka thënë Klinaku.
Për këtë protestë, ai ka thënë se deri më tash ka marrë mbështetje nga degët e organizatës së veteranëve të luftës, të cilat i ka në Kosovë.
Përveç kësaj, ai ka thënë se ka marrë mbështetje edhe nga partitë politike, si Partia Socialdemokrate e Kosovës(PSD), partia Nisma, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), nga Lëvizja për Bashkim.
“Ne protestën si organizatorë, jemi munduar që ta qetësojmë situatën, por njerëzit kanë qenë të frustuar, sepse është gjendje e rëndë, sepse do të mbesin si raste sociale”, ka thënë Klinaku për protestën e kaluar.
Ndërsa edhe Policia e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjes së protestës së lajmëruar, ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore.
Në njoftim, bëhet e ditur se sipas procedurave të parapara, Policia do të marrë masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës.
“Me këtë rast, Policia fton të gjithë qytetarët, përfshirë pjesëmarrësit në protestë që protesta të zhvillohet e qetë duke respektuar ligjet e vendit dhe që kërkesat e tyre t’i shpalosin në mënyrë demokratike e ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
E për këtë protestë, shumë krerë të partive politike kanë bërë thirrje që të jetë paqësore.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë thirrje që protesta e veteranëve, të jetë e qetë dhe me dinjitet.
Ai i ka bërë thirrje Qeverisë, që ta tërheqë këtë ligj, ta korrigjojë e t’i përfshijë kategoritë e lirisë brenda tij, dhe ta risjellë në Parlament për votim.
Ndërsa, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, në emisionin “Five”, të RTV Dukagjinit, ka thënë se kjo protestë e veteranëve duhet të jetë e qetë dhe paqësore, të tregohet kulturë dhe mirëkuptim, por sipas saj, për këtë protestë nuk janë fajtorë veteranët, sepse është shkelur dinjiteti i tyre, por siç thotë ajo, fajtore është Qeveria Kurti.