Ismail Hoti ka marr rrugë nga fshati Ratkoc i Rahovecit për në zyrat e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së në Prishtinë, për të shprehur shqetësimet e tij për një vendim që ia lëshoi Ministria e Financave ditë më parë.
Hoti gjatë luftës ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por u plagos në Koshare, e për këtë edhe është përfitues i skemës pensionale të invalidit të luftës.
Por, ai nuk po arrin të marr edhe pensionin bazik të moshës, pasi që këtë ia ka refuzuar Ministria e Financave.
“Kam ardhur me bë një ankesë pasi që kam aplikuar për pension të moshës, ose si i thonë të pleqërisë për 100 euro, kam aplikuar në Prizren me datën 5 të këtij muaji, me datë 17 i kam marr dy vendime për një ditë, një që mu ka aprovuar pensioni 100 euro i moshës, dhe një që është refuzuar.. tash do i drejtohem Gjykatës themelore në Prishtinës, sipas udhëzimit administrativ që shkruan në vendim,” tha Ismail Hoti – Invalid i luftës
Hoti thotë se i gjithë procesi është i panevojshëm dhe i mundimshëm për të.
“Jo vetëm e keqe por edhe e mundimshme, për neve pasi që po duhet shumë letra me i siguru edhe në fund të refuzojnë, dhe pastaj përmes avokatit duhesh me padit sipas udhëzimit që e kanë cek vetë tash aty, me i paditë për të drejtat e mia,” shtoi Hoti.
Sikurse Ismaili edhe shumë ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, po i drejtohen zyrës së organizatës së Veteranëve, për tu udhëzuar për hapa të tjerë.
Fadil Shurdhaj, i cili është udhëheqës i shoqatës së invalidëve të luftës, thotë se Ministria e Financave është duke shkelur ligjin dhe se nuk iu është përgjigjur shkresave që i kanë dërguar.
“Kjo e drejtë që është mohuar kësaj kategorie dhe këtyre njerëzve, duhet të u njihet menjëherë me një vendim posaçëm të Ministrisë, ata nuk po e bëjnë këtë ne po i çojmë direkt në Gjykatë. Në Gjykatë po e fitojnë rastin,” ka thënë Fadil Shurdhaj nga Shoqata e Invalidëve të Luftës.
Më shumë se 200 padi për këtë çështje, tashmë kanë shkuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, vetëm nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Gzim Shala, hulumtues në IKD, thotë se nga mungesa e veprimeve të institucioneve, mbingarkohet sistemi gjyqësor me raste të tilla.
“Çështja e mosekzekutimit të këtyre mjeteve dhe lënia që kjo të bëhet vetëm përmes rrugëve gjyqësore, definitivisht që vetëm e dëmton buxhetin e Republikës së Kosovës, për shkak se përveç pensioneve do duhej që në rastin konkret të paguhen edhe shpenzimet procedurale, edhe kamata ligjore dhe të gjitha këto çështje, andaj në mënyrë që të ruhet edhe buxheti i Kosovës më e udhës do ishte që këto obligime, të përmbusheshin në ministri,” deklaroi Gzim Shala – Hulumtues në IKD
Ministria e Financave që nga java e kaluar nuk ka kthyer përgjigje, në interesimin e televizionit për këtë çështje.