Paralajmërim për ndonjë protestë para objektit të Kuvendit, nuk kishte bërë askush.
Mirëpo, si rrallë herë në oborrin e Parlamentit dhe Qeverisë, kishte një numër të shtuar të forcave policore.
Krejt kjo erdhi nga një postim i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët nuk po pajtohen me mospërfshirjen e tyre në projektligjin për pagën minimale.
Derisa, brenda Kuvendit deputetët e votuan në parim këtë projektligj, jashtë tij erdhen edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Kur deputetët e mazhorancës vendosen pro këtij projektligji, organizatat e dala nga lufta u mblodhën në një mbledhje.
Aty morën një vendim, që me datë 16 qershor të organizojnë një protestë gjithëpopullorë në kundërshtim të këtij ligji.
Madje, ata menjeherë dolën në terren për mobilizimin e strukturave të tyre në të gjitha komunat e Kosovës.
Për Fadil Shurdhajn, nga shoqata e Invalidëve të luftës së UCK-së, kryeneçësia e Kryeministrit Kurti, për kalimin e këtij projektligji, do ta dëmtoj atë.
“Do të protestojmë dhe do të demostrojmë para Kuvendit të Kosovës, ky ligj të diskutohet me këto kategori, dhe të jetë i njejtë edhe për kategoritë e luftës për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse këto kategori janë kategori meritore të cilat nuk meritojnë të mbesin me 170 euro”, u shpreh Fadil Shurdhaj, nga Shoqata e Invalidëve të UÇK-së.
Ndërkohë, Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjarëve të Dëshmorëve të UCK-së, thotë se kalimi i këtij projektligji duhet të ndalohet.
“Nuk do doja as të mendohej një gjë e tillë e jo më të veprohej nga një Qeveri, që mendoj se është gabim i madh dhe mbi të gjitha i bëj thirrje edhe Kurtit që të sillet si kryeministër i të gjitha kategorive të shoqërisë që jetojnë në shtetin e Kosovës, dhe mos të sillet në karrigen e kryeministrit dhe të bëjë politikën e një partie politike në këtë rast të Vetëvendosjes”, ka thënë Xhavit Jashari, nga Shoqata e Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së.
E pas komunikatës së OVL UÇK-së, për ditën e datën e prostës, njësitë e policisë së Kosovës, u larguan nga tre pozicione ku ishin pozicionuar gjatë ditës.
Arsyeja e shtimit të kësaj mase të sigurisë, ishte protesta e 6 qershorit, në të cilën veteranët u futën në oborrin e Kuvendit e për t’i shpërndarë ata u desh të përdorej gazi lotsjellës.