Vetëvendosja tenton të shtrijë pushtet edhe në Maqedoninë e Veriut

Lëvizja Vetëvendosje është duke zgjeruar aktivitetin e saj, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Kryeministri, Albin Kurti, ka paralajmëruar fillimin e Vetëvendosjes edhe në Maqedoninë e Veriut. Një subjekt politik si “Lëvizja Vetëvendosje” mund të hyjë në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Subjekti politik në Maqedoninë e Veriut pritet të udhëhiqet nga Bekim Qoku dhe Blerim Reka. Ndërsa, analistët e politikës në Maqedoninë e Veriut janë skeptikë për suksesin e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë vend

Lëvizja Vetëvendosje, angazhimin e tyre, përveç se në Kosovë e Shqipëri, është duke tentuar ta shtrijë edhe në Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri, Albin Kurti, që nga viti 2020 kishte bërë të ditur se pas Shqipërisë, Lëvizja Vetëvendosje do të fillonte iniciativën për shtrirjen e saj edhe në Maqedoninë e Veriut.

“Do të ketë Vetëvendosje në Kosovë, Shqipëri, diasporë dhe në Maqedoninë e Veriut që në përvjetorin e ardhshëm të mos flasë vetëm Boiken Abazi, por edhe dikush tjetër nga Shkupi, Tetova a Kumanova”, kishte thënë Albin Kurti në fjalimin e mbajtur.

Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia që një subjekt politik që del nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit të hyjë në garën zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Tashmë kanë filluar edhe aktivitetet për themelimin e një subjekti juridik nga lëvizja në Kosovë, i cili do të regjistrohet në Maqedoninë e Veriut.

Ai pritet të udhëhiqet nga Bekim Qoku, këshilltari për marrëdhënie me Maqedoninë e Veriut i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si dhe ish-diplomati dhe ish-kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka.

Në një prononcim për Portalin Dukagjini, njohësi i politikës në Maqedoninë e Veriut, Fatos Rushiti, ka bërë të ditur se ka zëra atje se LVV-ja do të nisë veprimin në Maqedoninë e Veriut.

“Flitet për ca emra që kanë qenë aktivë si ekspertë e opinionistë në lëmin e ekonomisë. Për njerëzit që fliten nuk kanë një begraund të fortë opozitar apo që opinioni i njeh për kauza të forta politike”, ka thënë Rushiti.

Fatos Rushiti, analist politik dhe profesor universitar në UBT

Partitë shqiptare po shpërndahen në tri ose katër blloqe në Maqedoni të Veriut, thotë ai, me afrimin e zgjedhjeve të cilat pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

“BDI si subjekti më i fortë politik që aktualisht është në pushtet, Aleanca për Shqiptarët si parti e dytë me 8 deputetë aktualisht duket se do të del e vetme ose eventualisht në një nga partitë e reja politike Partia Demokratike Evropiane apo Partia Populli, ndërkaq blloku opozitar i formuar tashmë mes Lëvizjes Besa, Partisë Alternativa dhe Partisë më të re e dalë nga BDI, Lëvizja Demokratike. Koha është shumë e shkurtër që LVV të forcohet tani në Maqedoni të Veriut dhe të hyjë në zgjedhje”, vijon ai.

Sipas Rushitit, Lëvizja Vetëvendosje në Maqedoninë e Veriut nuk pritet se do të ketë rezultat të mirë, duke pasur parasysh figurat që fliten se do t’i prijnë këtij subjekti politik.

“Kur marrim parasysh terrenin politik me 9 parti politike shqiptare dhe figurat  që po fliten se do t’i prijë LVV-së nuk japin shpresë se mund të “dhezë” kjo parti edhe në Maqedoni. Ml herët tek be ka pasur elemente më radikale të veprimit politik, por që në fund kanë përfunduar ose me burgosje ose me linçim politik. Tjetra, elementet e forta radikale në terren ende kontrollohen nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe nuk pritet që të kalojnë në taborr tjetër politik”, ka theksuar Rushiti.

Tutje, ai ka theksuar se jo vetëm “LVV, por edhe ndonjë lëvizje tjetër progresiste që do të dalë me kauzë të fortë politike për të kërkuar barazi kushtetuese politike përtej Marrëveshjes së Ohrit do të ketë terren vetëm pas zgjedhjeve parlamentare, e kjo i bjen në vjeshtën e vitit 2024”.

Në anën tjetër, gazetari nga mediumi TetovaSot, Nevrij Ademi, ka thënë se kohë më parë kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar për iniciativën e subjektit politik në RMV.

“Nga viti 2019, kryeministri aktual i Kosovës dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, paralajmëroi iniciativën për themelimin e kësaj partie edhe në RMV, por që në atë kohë heshti gjithçka përveç vizitave të Kurtit dhe disa herë ndërhyrjes me ose pa dashje të tij në problemet e brendshme politike të Maqedonisë së Veriut, të cilat normal që e krijonin “hutinë” nëse Albin Kurti po interesohet për problemet e brendshme të Maqedonisë”, ka thënë Ademi.

Gazetari nga mediumi Tetova Sot, Nevrij Ademi.

Tutje, ai ka theksuar se “së fundi burimet jozyrtare flasin që jozyrtarisht Lëvizja po merr hapa drejt formimit real të kësaj partie në Maqedoni, ndërsa këshilltari politik i Albin Kurtit nga Maqedonia, Bekim Qoku, thuhet se mund të jetë udhëheqës i kësaj partie në vendin tonë”.

Deri më tani ai thotë se nuk është shfaqur ndonjë reagim zyrtar nga partitë e tjera shqiptare lidhur me këtë çështje, ndërkohë që asnjë hap konkret dhe zyrtar nuk është bërë.

“Ende nuk kemi parë asnjë reagim të partive tjera shqiptare, pasi që nuk ka asnjë hap konkret dhe oficial, por Qoku kohëve të fundit është parë të publikojë në profilin e tij takime me krerë të partive politike shqiptare në Maqedoni, dhe kjo mund të asocojë në plane të ardhshme, sepse edhe në vetë shkrimet e Qokut thuhet se bisedohet për zhvillimet e reja politike në vendin tonë”, vijon ai.

Në rast se Lëvizja Vetëvendosje do të regjistrohej zyrtarisht si parti politike në Maqedoni, “disa shqetësime janë ngritur se ky veprim mund të shkaktojë ndarje të votave shqiptare në një kohë kur veçse janë formuar 7 parti politike shqiptare”.

Sipas tij, kjo situatë do të rrezikonte “unitetin e votuesve shqiptarë dhe nuk do të ishte në favore të shqiptarëve”.

“Nëse veprimet e Kurtit do të jenë akoma nën hije pa mos pasur asgjë zyrtare dhe pa mos dalë në ‘mejdan’, atëherë kjo është ndërhyrje në punët e brendshme të vendit tonë dhe përdorimi i momenteve kritike politike për destabilizim. Nëse Kurti është i vendosur, ai duhet që të dalë e të matë forcat”, ka përfunduar Ademi.

Ndryshe, lidhur me formën juridike apo natyrën e çështjes së “Vetëvendosjes” në skenën politike të Maqedonisë së Veriut, ende nuk ka ndonjë vendim përfundimtar.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika