Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Rodoiçiq, është përfshirë në listën e kuqe të INTERPOL-it.
Radoiçiq kishte pranuar se ka qenë organizatori për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Për këto zhvillime ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, e cila thotë se sot me kërkesë të Prishtinës, atij i është lëshuar urdhërarrest nga ana e INTERPOL-it.
“Dikur në Prishtinë endej me vetura zyrtare, sot në veri i është konfiskuar gjithçka e madje edhe villa me barkë. Dikur në Prishtinë i largohej fletarresti, sot me kërkesë nga Prishtina i lëshohet urdhërarrest edhe nga Interpol”, kanë shkruar LVV.
Siç thotë LVV-ja, dallimi është evident dhe se nuk ka më kompromis me krimin e në dëm të Republikës.
Ndryshe, ditë më parë u bë e ditur se INTERPOL ka përfshirë në listë të kuqe Milan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i dyshuar kryesor për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.
Organizata ndërkombëtare policore, INTERPOL, ka lëshuar urdhërarrest jo vetëm për Milan Radoiçiqin, por edhe për 11 persona të tjerë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Siç raporton media opozitare serbe “Nova”, urdhri është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Meqë Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it, urdhërarrestet ndërkombëtare lëshohen në këtë mënyrë.
Çka ndodhi në Banjskë?
Më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin policor, Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë.
Radoiçiq u mor në pyetje nga Prokuroria e Serbisë në muajin tetor dhe u ngarkua me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Megjithatë, gjykata në Beograd e liroi nga paraburgimi, por ia konfiskoi dokumentet.
Përmes një letre publike të lexuar nga avokati i tij më 29 shtator, Radoiçiq tha se “personalisht” e ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës.
Ai mohoi përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore të Serbisë në sulm.