Një veturë është djegur në orët e para të së martës në Leposaviq, e cila ishte e nënkryetares së komunës së Leposaviqit, Dragana Miletiq.
Ekipi në terren i RTV Dukagjinit ka siguruar pamjet e veturës së saj, e cila ishte djegur pjesërisht dhe targat i kishte të Republikës së Kosovës (RKS).
Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, ka thënë për Dukagjinin se një pjesë e veturës është përfshirë nga flakët.
Sipas tij, kjo nuk lidhet me çështjen e konvertimit të targave.
Rasti është duke u hetuar nga Policia e Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që një veturë digjet në veri. Incidentet të tilla kanë ndodhur edhe më herët pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të gjitha makinat me targa ilegale serbe të riregjistrohen në RKS.
Kujtojmë se shumica e veturave të djegura në veri ishin të riregjistruar me targa RKS (Republika e Kosovës).